Tarran: Prezenca e OSBE-së mbështetje për reformën në sistemin e burgjeve

Nga D. V.
652 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, për ta uruar për detyrën e re, për të rikonfirmuar mbështetjen e Prezencës për reformën në sistemin penitenciar dhe për të diskutuar bashkëpunimin në të ardhmen.

Kontributi i Prezencës në sistemin penitenciar ndër vite është fokusuar në pesë fusha kryesore: mbështetje për hartimin e legjislacionit dhe politikat në sistemin penitenciar; rritje e kapaciteteve të personelit në burgje dhe paraburgim; ngritja e Shërbimit të Provës; parandalimi dhe lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm; mbështetje për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë; si dhe ngritjen e programit të parë ndërdisiplinar të Masterit Ekzekutiv në Kriminologji në Universitetin e Tiranës.

Gjatë diskutimit u trajtua edhe rëndësia e uljes së përdorimit të tepruar të masës “arrest në burg”.

Ambasadori Tarran përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë, të muajit maj, i cili rikonfirmon se caktimi i masës “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme, i justifikuar vetëm mbi bazën e arsyetimit konkret, të individualizuar, dhe të rishikueshëm.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e gatshme të mbështesë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në çuarjen përpara të reformave që kontribuojnë për një sistem penitenciar më efektiv, më human dhe më modern. Objektivi ynë i përbashkët është një sistem që mbron të drejtat e njeriut, rrit sigurinë publike dhe mbështet riintegrimin e suksesshëm në shoqëri të të dënuarve”, u shpreh ai.

Prezenca do të vijojë mbështetjen e reformës penitenciare në vitin 2026 përmes veprimtarive të fokusuara në promovimin e aksesit në drejtësi, forcimin e kapaciteteve të sistemit penitenciar, përdorimin e masave alternativave dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër