Tiranë, 15 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pas daljes nga SPAK, Berisha u pyet nga gazetarët lidhur me pretendimet e ngritura më herët për përfshirjen e tij dhe të djalit të tij në çështjen e njohur si “Mali i Tiranës” dhe të hetuar nga SPAK
Ai mohoi çdo lidhje me këtë çështje, duke deklaruar se akuzat ishin ngritur pa asnjë fakt dhe me qëllim, sipas tij, për të larguar vëmendjen nga zhvillime të tjera politike.
Berisha i cilësoi akuzat si “shpifje dhe trillime të ulëta”.
“Dosja faktoi shpifjen dhe trillimin e ulët që u bë atë kohë për “Malin e Tiranës” nga opozita e opozitës, veglat e verbra të qeverisë dhe mediat e tyre”, u shpreh Berisha.
I pyetur për një udhëtim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Berisha tha se planifikon të vizitojë SHBA-në, por nuk ka përcaktuar ende një datë konkrete.
“Natyrisht unë do të shkoj, por një projekt të shpejtë nuk e kam tani, sepse duhet të shkoj kur të takoj miq, bashkëpunëtorë të mi atje, të takoj shumë miq”, deklaroi ai.
Berisha hodhi poshtë gjithashtu raportimet se një udhëtim i mundshëm në SHBA do të kishte motive shëndetësore, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Kreu i PD theksoi se, vendimi për të dhe familjarët e tij është i plotë dhe se, sipas tij, ky fakt i është komunikuar zyrtarisht nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“As kam kërkuar kurrë ndonjëherë për të shkuar, për t’u vizituar. Vendimi është i plotë për mua dhe familjarët e mi, njëlloj për familjarët e mi dhe ky vendim më është komunikuar zyrtarisht nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë”, tha Berisha.
