Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se transformimi i administratës shqiptare është reflektuar në një sërë pasqyrash të institucioneve ndërkombëtare, ndërsa veçoi se indeksi i SIGMA-s e rendit Shqipërinë të parën në rajon për reformën e administratës publike.
I pranishëm në prezantimin e “Shkallës së Meritës”, Rama nënvizoi domosdoshmërinë për të kaluar në një tjetër nivel në raport me meritën në administratën publike.
Kryeministri theksoi se ka qenë shumë skeptik për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës shqiptare, por kontributi i administratës shqiptare në procesin e integrimit dhe vlerësimi për të nga Brukseli ishte një nga surprizat më të mirëseardhura.
“Ajo që reflektoi skuadra e madhe e përfaqësuesve të Shqipërisë, sipas të gjithë atyre kapitujve, ishte një administratë shqiptare krejt tjetër nga ajo që edhe unë vetë kisha në mend. Sepse dhe unë vetë isha i ndikuar nga presioni i madh dhe i përditshëm i thashethemnajës së lajmeve dhe të ngjarjeve negative lidhur me punonjës të administratës. Kishte një besim të ulët në raport me kapacitetet e administratës në atë moment të rrugës”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal po ashtu te protesta qytetare dhe kërkesat që ajo ngriti për meritokracinë.
“Dolën në protestë me nevojën e madhe për të shprehur disa shqetësime të akumuluara dhe për të kërkuar një përshpejtim të domosdoshëm në kushtet kur praktikisht Shqipëria e ka kapërcyer epokën e mungesave dhe ka hyrë në epokën e pritshmërive të larta. Një nga pikat më goditëse të shumë zërave që unë dhe bashkë me të tjerët u përpoqëm të dëgjojmë ishte pikërisht ‘merita’, si hyn në punë në raport me ambicien për të shërbyer në shtetin shqiptar”, u shpreh Rama.
Rama u ndal te raporti i SIGMA-s, që është instrumenti me të cilin Bashkimi Europian mat cilësinë, nevojat dhe potencialin e administratave publike.
Ky raport, sipas tij, e rreshton Shqipërinë të parën në rajon për reformën e administratës publike dhe për përmirësimet në administratën publike.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se përtej të gjitha indekseve është njeriu që kërkon nga administrata shërbim cilësor.
“Është njeriu që kërkon akses, karrierë në administratë përmes meritës së tij. Është njeriu që brenda administratës kërkon që merita e tij të jetë kushti që ai të ngjitet në shkallët e karrierës. Dhe ajo që të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se e përcakton raportin e shtetit me qytetarin është që qytetari nuk takohet me indekset globale, me strategjitë, me programet dhe me organigramat dhe as nuk e shikon veten nëpër pasqyrat ku reflektohen përmirësimet e Shqipërisë. Ai takohet me njerëzit e shtetit dhe me shtetin si eksperiencë personale”, u shpreh Rama.
Për këtë arsye, Rama theksoi se qeveria ka ndërmarrë gjithë këtë proces transformues dhe të thellë duke filluar nga “Besa’, për të kaluar tek “Pasqyra”, e cila do te mbledhë të gjithë shtetin në një vend të vetëm dhe për të vazhduar me “Praninë besnike”.
“Sot kemi një komponent të ri që është ‘Shkalla e Meritës’. Baza është anketa e brendshme e nëpunësve civil të Shqipërisë”, shtoi ai.
