Kiev, 15 qershor, Zhurnal.mk – Sulmet e reja ruse gjatë natës në Ukrainë kanë shkaktuar të paktën nëntë viktima dhe dhjetëra të plagosur, duke goditur disa qytete të mëdha të vendit, sipas autoriteteve ukrainase.
Në kryeqytetin e Kievit, sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha, në kompleksin historik “Kyiv Pechersk Lavra”, një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe kulturore të Ukrainës, i mbrojtur nga UNESCO.
Sipas zyrtarëve lokalë, në zonë është raportuar zjarr në kishën kryesore të kompleksit, ndërsa janë regjistruar mbi 40 goditje në disa lagje të qytetit.
Sulmet kanë shkaktuar viktima, zjarre në automjete dhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa dhjetëra persona janë plagosur.
Në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Kharkivin dhe Dnipron, janë raportuar sulme të forta ajrore.
Në Kharkiv, sipas burimeve lokale, janë vrarë edhe disa punonjës të shërbimeve emergjente, ndërsa në Dnipro është raportuar të paktën një i plagosur.
Autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se gjatë sulmit, janë përdorur më shumë se 50 raketa dhe rreth 500 dronë, duke e cilësuar atë, si një nga valët më të mëdha të sulmeve ajrore të fundit.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse kanë raportuar viktima nga sulme me dronë ukrainas, në rajonin e Tulës dhe pranë Moskës, ndërsa disa dronë janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore ruse.
Detaje të plota për dëmet nuk janë konfirmuar menjëherë.
Lufta në Ukrainë, vijon prej më shumë se katër vitesh, me sulme ajrore pothuajse të përditshme nga të dyja palët, ndërsa përdorimi i dronëve është bërë gjithnjë e më i shpeshtë në konflikt.
