Shkruan, Bexhet Musliu, themelues i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Edhe pse kaloi një javë e plotë, shtatë ditë të plota, ministri, Azir Aliu, heshti sikur të ishte gur, ndërsa tabela pa shqipen në të lëshoi rrënjë në institucionin publik. Heshtja e tij është një legjitimim i shkeljes, një pranim i nënshtrimit institucional. Në vend që të ishte zëri i ligjit dhe i komunitetit që e përfaqëson u bë spektator i mohimit të gjuhës shqipe.
Shqiptarët mbajnë mend, dhe nuk falin nënçmime të kësaj natyre. Kur në emër të besimit të tyre fitohen pozitat e pastaj të njëjtat përbuzen.
Inspektorati për përdorimin e gjuhëve duhet të veprojë
Mos zbatimi i Ligjit nuk ka përkatësi etnike, siç u veprua ndaj Fillkovit ngjashëm duhet të veprohet edhe ndaj Azir Aliut. Drejtori nga radhët e VLEN-it që udhëheq me Inspektoratin nuk duhet të qëndrojë i heshtur sepse llogaritet bashkëpunëtorë në përbuzjen e gjuhës shqipe.
Do ta përcjellim me kujdes maksimal edhe veprimin e Inspektoratit. Sepse, e kaluara na ka treguar që po i njëjti Inspektorat ka dënuar edhe ministrat e partisë së tyre gjatë qeverisjes së BDI-së. Tani nuk ka asgjë paradoksale nëse drejtori i Inspektoratit vepron sipas dispozitave ligjore edhe ndaj ministrit, Azir Aliu.
Sepse, në fund të ditës mos respektimi i gjuhës në atë tabelë dëmton të gjithë shqiptarët por edhe subjektin politik prej nga vjen ministri, Azir Aliu, në këtë rast VLEN-in.
Pra, dita e shtatë, tabela pa gjuhën shqipe lëshoi rrënjë. Ministri Aliu duartrokiti, por nuk foli as atë ditë e as sot kur u bë dita e shtatë, as nuk foli as nuk veproi heshti dyfish. Kjo skenë është një kujtesë e hidhur se gjuha nuk humbet vetëm kur e mohon tjetri, por edhe kur e tradhton i yti. Shqiptarët nuk kanë nevojë për ministra që duartrokasin shkeljen, por për përfaqësues që e mbrojnë ligjin dhe dinjitetin e gjuhës së tyre.
Prandaj, hapi i parë për ta mbrojtur shqipen është që shqiptarët ta përdorin dhe ta imponojnë në çdo nivel institucional. Vetëm kur bartësit e pushtetit shqiptar e respektojnë gjuhën e tyre, mund të kërkohet pastaj që edhe pala maqedonase ta trajtojë si të barabartë. Në të kundërt, shqipja mbetet e margjinalizuar dhe e rrezikuar, pavarësisht se është e garantuar me ligj dhe Kushtetutë. /Zhurnal.mk
