Bexhet Musliu pyet Azir Aliun: Mbi çfarë rezultatesh kërkon të mbetesh ministër i Shëndetësisë? Nëse ke moral politik, tërhiqu

Nga R.ZH
3,438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkruan: Bexhet Musliu, themelues i Agjencisë Zhurnal.mk

Shkup, 16 qershor – Deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, në emisionin “Debat në SHENJA” se nuk pret të preket nga rikonstruimi i paralajmëruar i Qeverisë dhe se performanca do të jetë kriteri kryesor për vlerësimin e ministrave, ngre një pyetje të thjeshtë dhe legjitime: mbi çfarë performance e bazon ai këtë bindje?

Pas disa vite në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, opinioni publik ende pret përgjigje për shumë probleme që vazhdojnë ta rëndojnë sistemin shëndetësor.

Qytetarët përballen me pritje të gjata për shërbime, mungesë të kuadrove në disa institucione, sfida në menaxhimin e kapaciteteve spitalore dhe mungesë të reformave të dukshme që do të sillnin përmirësime konkrete në jetën e pacientëve.

Prandaj, kur ministri deklaron se nuk pret të largohet nga posti, lind pyetja: cili është argumenti i tij më i fortë për të vazhduar ta drejtojë një nga sektorët më të ndjeshëm në shtet?

Një pyetje tjetër që meriton përgjigje është se nga kush e merr këtë siguri politike. A pret mbështetje nga partneri më i madh qeverisës, VMRO-DPMNE, apo nga VLEN-i, si përfaqësues i bllokut shqiptar në qeveri? Në fund të fundit, rikonstruimi nuk është vetëm çështje numrash politikë, por edhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Shëndetësia nuk është sektor ku mjafton retorika politike apo komunikimi publik. Është fushë ku rezultatet maten me cilësinë e shërbimeve, me funksionalitetin e institucioneve dhe me besimin që qytetarët kanë ndaj sistemit. Pikërisht për këtë arsye, çdo ministër duhet të jetë i gatshëm të japë llogari për punën e tij.

Azir Aliu ka një profil që lidhet më shumë me teknologjinë, inovacionin dhe transformimin digjital. Pikërisht në këto fusha ai ka dëshmuar kapacitete dhe përvojë. Për këtë arsye, do të ishte më logjike që kontributi i tij të jepet në sektorë ku ekspertiza e tij është më e afërt me sfidat që duhet të menaxhohen.

Madje, rikthimi në një resor si Shoqëria Informatike dhe Administrata do të ishte një terren shumë më natyral për të. Në kohën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe modernizimit të administratës publike, ai mund të kishte më shumë mundësi për të lënë gjurmë pozitive dhe për të realizuar projekte me ndikim të drejtpërdrejtë.

Politika nuk është vetëm çështje qëndrimi në funksion. Ndonjëherë maturia më e madhe politike është të kuptosh se ku mund të japësh kontributin më të madh. Nëse kriteri i vlerësimit do të jetë vërtet performanca, atëherë ministri Azir Aliu duhet të reflektojë seriozisht nëse vendi i tij është ende në krye të Shëndetësisë.

Qytetarët kanë nevojë për rezultate, jo për bindje personale se gjithçka po shkon mirë. Dhe pikërisht rezultatet do të jenë testi më i rëndësishëm për secilin anëtar të Qeverisë në rikonstruimin që po afrohet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër