Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Deputeti i VMRO-DPMNE, Bojan Stojanoski, në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se treguesit ekonomikë dëshmojnë se Maqedonia po ecën në drejtimin e duhur, duke theksuar se shteti po shënon rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të standardit të jetesës.
Stojanoski nënvizoi se Qeveria e bazon politikën e saj ekonomike mbi tre prioritete kryesore investimet kapitale, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe mbështetjen e ekonomisë vendore.
Sipas tij, Maqedonia ka regjistruar rritje ekonomike mbi 3 për qind në shtatë tremujorë radhazi dhe, sipas treguesve tremujorë, renditet ndër ekonomitë udhëheqëse evropiane për nga norma e rritjes.
Ai shtoi se paga neto mesatare është rritur për 8,2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa janë hapur 17.000 vende të reja pune.
“Ky është një tregues i qartë se masat që po zbatojmë japin rezultate dhe krijojnë mundësi të reja për punësim dhe zhvillim ekonomik”, theksoi Stojanoski.
Në pjesën e financave publike, ai theksoi se borxhi publik po ulet, të ardhurat buxhetore po rriten, ndërsa mjetet po drejtohen drejt realizimit të projekteve kapitale.
“Qëllimi ynë mbetet i qartë ekonomi e qëndrueshme, financa publike stabile, investime të reja, paga dhe pensione më të larta dhe standard më i mirë jetese për të gjithë qytetarët. Maqedonia po përshpejton”, deklaroi Stojanoski. /Zhurnal.mk
