Reformë apo “rikthim prapa”: Punonjësit e gjyqësorit kundër ligjeve të përgatitura nga qeveria

Nga D. V.
1,290 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershorit, Zhurnal.mk – “Cila është reforma thelbësore që e fiton shërbimi prokurorial me këtë ligj?”, pyetën përfaqësuesit nga prokuroritë, raporton 360 shkallë, transmeton Zhurnal.
“Do të kemi ndërhyrje direkte të pushtetit ekzekutiv dhe rrezikim të drejtpërdrejtë të pavarësisë dhe autonomisë së gjyqësorit”, paralajmëruan përfaqësuesit e shërbimeve gjyqësore.

Zëvendësministri i Drejtësisë tha se shpejtësia me të cilën ligjet janë dorëzuar në Kuvend është për shkak të agjendës reformuese, pra afatit përfundimtar për miratimin e tyre. Projektligjet për shërbimin gjyqësor dhe atë prokurorial, të cilat qeveria i dërgoi në Kuvend, nuk janë të njëjtat që i kanë përgatitur grupet e punës të formuara pikërisht nga qeveria. Kjo ishte vetëm një nga bazat për të cilat reaguan të punësuarit në gjykata dhe prokurori në debatin publik parlamentar për këto zgjidhje ligjore.

Përfaqësuesit nga disa gjykata dhe prokurori alarmuan para deputetëve në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive se dy projektligjet, në vend që të jenë reformuese, janë diskriminuese dhe do të krijojnë ndarje mes personelit në kushte kur gjykatat dhe prokuroritë vuajnë nga mungesa e kuadrit.

Sipas tyre, thelbësore është fakti që si shërbim gjyqësor dhe prokurorial ligji i ri i njeh vetëm shërbimet profesionale si shërbyes shtetërorë të veçantë, ndërsa të tjerët barazohen me shërbyes administrativë, gjë që nënkupton kthim prapa, paga më të ulëta dhe pabarazi në resorë specifikë ku çdo i punësuar ka kontribut të rëndësishëm.

“Si anëtare e grupit të punës unë distancohem nga ky projektligj. Ky projektligj nuk është reformues, nuk është i zbatueshëm dhe nuk e përmirëson pozitën e shërbimit gjyqësor. Vërejtja e parë është mënyra e rregullimit të statusit për shërbyesit gjyqësorë. Projektligji jo vetëm që i definon ata si shërbyes administrativë, por shkon edhe më tej, duke i ndarë në shërbyes gjyqësorë dhe shërbyes shtetërorë. Për shërbyesit shtetërorë, me nenin 14, parashikohet që për ta të zbatohen dispozitat e Ligjit për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjit për shërbyesit administrativë. Ky është një zgjidhje ligjore e pafat, sepse dispozitat për shërbyesit administrativë në gjykata janë të pazbatueshme, siç e ka treguar praktika”, reagoi Hristina Palçevska, administratore gjyqësore në Gjykatën Themelore Civile – Shkup.

Ajo shtoi se llogaritjet e pagave do të bëhen mbi bazën e pagës minimale, e cila vendoset nga qeveria, dhe mbi pikë për tituj dhe arsimim, gjë që nuk e përmirëson pozitën e punonjësve. Palçevska theksoi se zgjidhja e re parashikon edhe heqjen e shtesave të pagës për rrezik të lartë dhe konfidencialitet. Në rast greve, shërbyesve gjyqësorë do t’u paguhet 60% e pagës së mëparshme.

Renata Georgievska nga Sindikata e Pavarur e Gjykatës Themelore Shkup kujtoi se agjenda reformuese parashikon gjyqësor të pavarur dhe autonom përmes ndryshimeve ligjore.

“Kjo rregullativë ligjore, e analizuar statistikisht, do të thotë se nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në gjykata, që është 1.800 shërbyes gjyqësorë, për rreth 1.550 të punësuar do të vlejnë dispozitat e Ligjit për shërbyesit administrativë dhe Ligjit për administratën publike, që do të thotë se ata do të jenë nën kompetencën direkte të pushtetit ekzekutiv, ndërsa ky ligj do të zbatohet vetëm për 300 të punësuar në gjykata, të cilët do të jenë përfaqësues të pushtetit gjyqësor të pavarur dhe autonom në shtet. Shprehur në raport, kjo do të ishte 5:1 në favor të pushtetit ekzekutiv kundrejt pushtetit gjyqësor. Ky raport do të thotë se në pushtetin gjyqësor do të kemi ndërhyrje direkte të pushtetit ekzekutiv dhe rrezikim të drejtpërdrejtë të pavarësisë dhe autonomisë, si financiarisht ashtu edhe përmes ndikimit politik”, tha Georgievska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër