Peleshi: Vetingu, kontribut historik për drejtësinë dhe Shqipërinë europiane

Nga D. V.
535 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryetari i Kuvendit vlerësoi reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut si një nga ndërhyrjet më të thella dhe më të guximshme të shtetit shqiptar në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.

Peleshi theksoi se reforma në drejtësi ishte një akt vetëkorrigjimi i shtetit dhe një përgjigje ndaj nevojës për të rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia.

“Dhjetë vite më parë, Shqipëria mori një rrugë që pak vende kanë pasur kurajën ta ndjekin. Ajo vendosi që sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohej filtrit më të fortë që kishte njohur ndonjëherë. Jo për hakmarrje, jo për spektakël dhe jo për statistika, por sepse nuk mund të ketë shtet të fortë pa drejtësi të besueshme”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Duke vlerësuar rezultatet e procesit, ai nënvizoi se Shqipëria e vitit 2026 është ndryshe nga ajo e vitit 2016, me institucione më të forta, standarde më të larta dhe pritshmëri të reja të qytetarëve ndaj drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerëve që kontribuuan në zbatimin e reformës.

Peleshi theksoi se përfundimi i mandatit të institucioneve të vetingut nuk shënon fundin e përgjegjësisë për mbrojtjen e standardeve të vendosura gjatë këtij procesi.

“Suksesi nuk do të matet më nga procesi i rivlerësimit. Ai do të matet nga cilësia e drejtësisë që marrin qytetarët, nga ndershmëria e sistemit dhe nga besimi që qytetarët kanë tek drejtësia”, deklaroi Peleshi.

Duke e lidhur reformën në drejtësi me rrugëtimin europian të vendit, kryetari i Kuvendit nënvizoi se Shqipëria ndodhet sot më afër se kurrë realizimit të objektivit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se ky proces mbështetet mbi forcën e institucioneve, sundimin e ligjit dhe garantimin e drejtësisë për çdo qytetar.

Në përfundim, Peleshi ritheksoi angazhimin e Kuvendit për të mbrojtur, konsoliduar dhe çuar më tej arritjet e reformës në drejtësi, duke e cilësuar ruajtjen e standardeve të fituara si testin e vërtetë të pjekurisë së shtetit dhe të vetë reformës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër