Parlamenti Evropian vendosi: Protokolli i dytë mbetet në raportin për RMV-në

Nga I.A
952 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Parlamenti Evropian sot, në seancën plenare në Strasburg, miratoi raportin për progresin e Maqedonisë për vitin 2025, ku në tekst mbeti edhe referenca për Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Rezoluta mori mbështetjen e 411 eurodeputetëve, ndërsa 120 votuan kundër.

Para votimit u zhvillua debat intensiv rreth pjesëve që lidhen me përmbushjen e obligimeve nga korniza negociuese me Bashkimin Evropian.

U refuzua amendamenti i raportuesit Thomas Waitz, me të cilin kërkohej fshirja e pikës 73 nga raporti. Për ruajtjen e pikës kontestuese votuan 338 eurodeputetë, ndërsa 126 ishin për heqjen e saj. Me miratimin e amendamentit do të fshihej përmendja direkte e Protokollit të Dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Në pikën 73 kërkohet që Komisioni i përbashkët historik të arrijë “rezultate të qarta dhe të prekshme”, duke e bazuar punën e tij në “burime dhe dokumente historike objektive, autentike dhe të provuara”, në përputhje me Protokollin e Dytë. Në tekst përmendet edhe koncepti i “historisë së përbashkët”.

Kryeministri Hristijan Mickoski, para votimit, i bëri thirrje eurodeputetëve të mbështesin amendamentet me të cilat protokollet bilaterale nuk do të trajtohen si pjesë përbërëse e kornizës negociuese të BE-së.

“Nëse Evropa dëshiron ta ruajë kredibilitetin e saj, duhet ta bëjë këtë dhe ta korrigjojë padrejtësinë që i është bërë Maqedonisë. I inkurajoj eurodeputetët të qëndrojnë te vlerat evropiane të përcaktuara nga Schuman, Adenauer dhe De Gasperi gjatë formimit të Bashkimit Evropian”, deklaroi Mickoski.

Në raport përsëri theksohet se Maqedonia duhet ta përmbushë obligimin për ndryshimet kushtetuese. Është konfirmuar edhe qëndrimi i Këshillit të BE-së se konferenca e ardhshme ndërqeveritare do të mbahet pasi vendi t’i zbatojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Në pikën 71 dënohen përpjekjet për zëvendësimin e monumenteve dhe artefakteve historike, si dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore autentike. Gjithashtu shprehet keqardhje për shkatërrimin dhe falsifikimin e mbishkrimeve bullgare, ndërsa theksohet nevoja për hapjen e arkivave të ish-shërbimeve sekrete jugosllave UDBA dhe KOS, që ruhen në Maqedoni dhe Serbi.

Raporti konstaton edhe mungesë të mjaftueshme progresi në disa fusha, por nënvizon rëndësinë strategjike të Korridorit 8, mbështetjen për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, si dhe nevojën për zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër