PE rrëzon amendamentin e eurodeputetes Ilaria Salis kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec

Nga D V
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Parlamentin Europian ka rrëzuar sot amendamentin e propozuar nga disa eurodeputetë të grupit të majtë parlamentar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Ky amendament u paraqit një ditë më parë nga eurodeputetja Ilaria Salis gjatë diskutimeve në PE për Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në amendamentin e tyre, eurodeputetët kërkonin shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024, të cilat, sipas tyre, lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu kontrollin në mjedis.

Gjithashtu, ata shprehnin shqetësim për marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Në këtë amendament të rrëzuar sot nga PE, eurodeputetët bënin thirrje për mbështetje të hetimit të nisur nga SPAK lidhur me këtë çështje dhe për garantimin e të drejtës për protestë paqësore.

Në seancën plenare të Parlamentit Europian, eurodeputeti Andreas Schieder vlerësoi dje  progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar se vendi ka treguar vullnet të fortë politik për reformat dhe se përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2026 është një objektiv realist.
Schieder nënvizoi gjithashtu rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm, ku ai u shpreh i bindur se të gjithë instrumentët ligjorë të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, zonave natyrore, shpendëve dhe kafshëve të tjera do të jenë shumë efektive.
Eurodeputeti e cilësoi Shqipërinë si një nga historitë më premtuese të suksesit në procesin e zgjerimit të BE-së.
Kryeministri Edi Rama ka ritheksuar se projekti për Sazanin nuk parashikon shitjen e ishullit, por një partneritet që do t’i nënshtrohet analizave të rrepta mjedisore dhe standardeve europiane. “Negociatat janë ende të hapura dhe nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vazhduar punën me studimet zhvillimore, por akoma nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe studimin përkatës mjedisor”.

Ndërsa sa i takon zonës së investimit në Zvërnec, qeveria ka sqaruar se “është pronë private e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Plani i zhvillimit të asaj zone është rezultat i një marrëveshjeje mes investitorëve dhe pronarëve zotërues të titujve të pronësisë në regjistrin kadastral (njësoj si në të gjitha rastet e pafundme të zhvillimit të pronës private). Investitorët i kanë blerë pronat prej tyre dhe aktualisht janë pronarë legjitimë të truallit në fjalë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër