Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, gjatë debatit në komisionin amë për Propozim-ligjin për përfaqësim adekuat, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se me qëndrimet e tij ka ndihmuar në krijimin e një klime që, sipas tij, është përdorur për të sfiduar pozitën e gjuhës shqipe.
Sela tha se për afro dy vjet është zhvilluar një debat i panevojshëm rreth pretendimit se nuk ekziston Ligji për përdorimin e gjuhëve, duke vlerësuar se kjo i ka shërbyer VMRO-DPMNE-së si argument politik.
“Të bëhet debati i pakuptimtë për dy vite se nuk ka ligj për gjuhët dhe t’u jepni argumentin kryesor atyre që i kanë shpallur luftë gjuhës shqipe. Këtë e kanë thënë në fushatë, në çdo paraqitje të tyre. E bëjnë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe në çdo germë e shkronjë të programit qeverisës, dhe kanë gjetur edhe zbatuesin”, deklaroi Sela.
Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese, ai tha se ekziston një problem serioz me mënyrën e funksionimit të saj dhe se, sipas tij, nuk është arritur të parandalohet majorizimi në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Jam shumë dakord që kemi problem me Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk paska arritur ta pengojmë majorizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Badenteri ka qenë i aplikuar në Parlament dhe në organet komunale. Prandaj themi që Badenteri të aplikohet edhe në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Sela.
Sipas kreut të Lidhjes Shqiptare, zbatimi i parimit të Badenterit edhe në Gjykatën Kushtetuese do të siguronte mbrojtje më të madhe të të drejtave të komuniteteve dhe do të ishte në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
