Shumica dhe opozita përplasen për Badenterin në Ligjin e përfaqësimit të drejtë

Nga R.ZH
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 qershor, Zhurnal.mk – Në Komisionin amë të Kuvendit ka vazhduar debati për Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ku një nga çështjet që ka nxitur diskutime mes deputetëve është mënyra e miratimit të këtij ligji dhe nëse ai duhet të votohet edhe me shumicën e njohur si Badenteri, transmeton Zhurnal.mk.

Gjatë debatit u ngrit dilema nëse ligji, për shkak të ndikimit të tij në të drejtat e komuniteteve, duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë – përkatësisht me shumicën e përgjithshme të deputetëve dhe me shumicën e deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë.

Përfaqësues të opozitës shqiptare argumentuan se ligji prek drejtpërdrejt parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit, ndaj sipas tyre duhet të gëzojë edhe mbështetjen e Badenterit, duke shtuar se do ta bllokojë miratimin e ligjit nëse nuk pranohen amendamentet e saj.

Kritikat kryesore të opozitës janë se projektligji nuk parashikon kuota të qarta për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, nuk vendos mekanizma efektivë kontrolli dhe nuk përmban masa sanksionuese për institucionet që nuk respektojnë detyrimet ligjore.

Sipas tyre, ligji në këtë formë mund të cenojë një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të dobësojë garancitë kushtetuese për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shumicës parlamentare mbrojtën procedurën e propozuar për miratimin e ligjit, duke argumentuar se çështja është në përputhje me interpretimet dhe procedurat kushtetuese.

Debati për mënyrën e votimit pritet të vazhdojë edhe në fazat e mëtejshme të shqyrtimit të ligjit, ndërsa mbetet të shihet nëse do të arrihet konsensus politik për miratimin e tij apo nëse çështja do të vazhdojë të jetë objekt përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër