Tiranë, 22 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, KQZ e Republikës së Moldavisë, KQZ e Ukrainës dhe KQZ e Maqedonisë së Veriut nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi, për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike dhe bashkëpunimit evropian.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua gjatë sesionit përmbyllës të Konferencës Rajonale “Paratë në Politikë 2026” dhe shënoi një moment të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën zgjedhore.
Dokumenti pasqyron angazhimin e përbashkët të institucioneve zgjedhore nënshkruese për promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimin e integritetit zgjedhor dhe zhvillimin e demokracive të qëndrueshme.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve nënshkruese do të fokusohet në fusha të tilla si transparenca e financimit politik dhe zgjedhor, lufta kundër korrupsionit zgjedhor, parandalimi dhe kundërshtimi i dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja informative, siguria kibernetike, digjitalizimi i proceseve zgjedhore, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale të personelit zgjedhor.
Njëkohësisht, Memorandumi mbetet i hapur për aderimin e autoriteteve të tjera zgjedhore që ndajnë të njëjtat vlera, parime dhe objektiva për mbrojtjen e demokracisë, forcimin e institucioneve zgjedhore dhe promovimin e standardeve evropiane.
