BDI do të protestojë për emrat në Tetovë, por “Marshall Tito” përdorej edhe në kohën e Teuta Arifit

Nga D. V.
1,726 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Ndonëse zyrtarisht nuk është paraqitur në polici, BDI-ja do t’i prijë protestës në Tetovë, e cila është paralajmëruar për të premten, për të shprehur pakënaqësinë lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilën u abrogua vendimi i Këshillit të Komunës në vitin 2007 për ndryshimin e emrave të rrugëve. Nga integristët thonë se ata do ta koordinojnë marshin protestues i cili do të fillojë nga Sheshi “Iliria” që sipas vendimit të fundit quhet “Marshall Tito”, deri tek objekti i Komunës së Tetovës, shkruan Alsat, transmeton Zhurnal.

“Dega e BDI-së në Tetovë ka marrë përsipër koordinimin e marshit qytetar, i cili nuk është partiak, por qytetar dhe i hapur për të gjithë ata që ndjejnë se duhet të mbrohet dinjiteti dhe identiteti i Tetovës”,deklarohen nga BDI për Alsat.


BDI del në rrugë pas një fushate me fjalor të ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila i shfuqizoi emrat e ndryshuara në kohën ë Hazbi Likës nga BDI, pasi vendimi është miratuar pa pajtimin e domosdoshëm të qeverisë së atëhershme VMRO-PDSH. Pikërisht për këtë, për 19 vite, 11 emrat e ndryshuar nuk janë përdorur nëpër institucionet shtetërore meqë nuk janë regjistruar në Regjistrin Qendror. Prandaj, ndonëse komuna i ka përdorur për nevoja ceremoniale e të brendshme, qytetarët nëpër dokumentet e tyre kanë vazhduar të mbajnë emrat e vjetër nga personazhet komuniste. Pos kësaj, të gjitha korrespodencat e komunës me institucionet shtetërore janë zhvilluar me emrat e vjetër.
Përtej kësaj, BDI që sot shpreh revoltën nën sloganin “Historia nuk abrogohet”, nëse shfleton historikun e komunës, mund të gjejë dokumente ku vetë komuna e cila është udhëhequr në dy mandate nga kuadri i tyre Teuta Arifi, ka përdorur emrat e vjetër.
Shembull konkret është ky i vitit 2015-të, kur në Fletoren Zyrtare të Komunës, derisa përshkruhet Plani Detal Urbanistik për Bllokun urban numër 53, përdoren emrat e vjetër “Marshall Tito” në vend “Iliria”, por edhe JNA në vend të “Dervish Carës”.

Rast tjetër gjithashtu në kohën e Teuta Arifit nga BDI, gjithashtu është edhe Fletorja Zyrtare e shkurtit të vitit 2017-të, kur në Fletoren Zyrtare të Komunës së Tetovës shpallet vendimi për ndryshim dhe plotësim të Planit të Përgjithshëm Urbanistik për Bllokun urban 56 dhe 57 për periudhën 2015-2025.

Ndonëse asokohe kishin kaluar 10 vite që kur Këshilli i Komunës kishte ndryshuar emrat e rrugëve, siç mund të shihni në Fletore Zyrtare përdoret emri “29 Nëntori” në vend të “Mehmet Pashë Deralla” ose “Marshall Tito” në vend “Iliria”.
Për realitetin lidhur me përdorimin e rrugëve kanë qenë të vetëdijshme dhe të njoftuara të gjitha partitë shqiptare, e sidomos BDI e cila ka pasur kryetar Hazbi Likën në kohën kur është bërë ndryshimi, pra deri në vitin 2009, pastaj PDSH me Sadi Bexhetin 2009-2013, pastaj sërish BDI me Teuta Arifin dy mandate 2013-2021, por edhe Bilall Kasami prej vitit 2021 e deri më sot. Kasami madje kishte kohë për ta ndryshuar këtë realitet, meqë kishte qenë i njoftuar për procedurën në Kushtetuese, megjithatë nuk e ka bërë.

Kryetarët e Tetovës
2005-2009 Hazbi Lika (BDI)
2009-2013 Sadi Bexheti (PDSH)
2013-2017 Teuta Arifi (BDI)
2017-2021 Teuta Arifi (BDI)
2021-2025 Bilall Kasami (Lëvizja BESA)
2025-2029 Bilall Kasami (VLEN)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër