“Ishte në varkë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët” – detaje të reja për zhdukjen e 25-vjeçarit në Liqenin e Batllavës

Nga Xh M
2,045 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Podujevë, 30 qershor Zhurnal.mk – Një person 25-vjeçar dyshohet se është zhdukur pasditen e së martës në Liqenin e Batllavës, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit po vazhdon prej disa orësh.

Sipas burimeve të Tëvë1, 25-vjeçari kishte qenë në një varkë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Në një moment ai dyshohet se është hedhur në ujë për të notuar, por nuk është parë më të dalë në sipërfaqe.

Po sipas të njëjtave burime, thellësia e ujit në zonën ku ndodhi rasti është rreth 10 metra.

Në operacionin e kërkimit është angazhuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila iu është bashkuar Policisë së Kosovës dhe ekipeve të tjera të kërkim-shpëtimit në përpjekjet për lokalizimin e 25-vjeçarit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 13:00 dhe se operacioni është ende në zhvillim.

“Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Aktualisht, operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është duke vazhduar”, ka deklaruar Pllana në një përgjigje me shkrim.

Në vendin e ngjarjes mbeten të angazhuara njësitë e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e FSK-së dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa kërkimet për gjetjen e 25-vjeçarit po vazhdojnë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër