Komuna e Tetovës njofton aksion të ri për dezinsektim, apel qytetarëve dhe bletarëve të respektojnë rekomandimet

Nga Xh M
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 12 korrik Zhurnal.mk – Komuna e Tetovës ka njoftuar se do të realizojë një aksion të ri për spërkatje kundër insekteve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që me kohë t’i ndërmarrin masat e rekomanduara të kujdesit.

Dezinsektimi i dytë hapësinor, përkatësisht tokësor (terestrik), në territorin e qytetit do të zhvillohet të mërkurën, më 15 korrik 2026, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë periudhës së verës.

Trajtimi do të kryhet nga një operator i autorizuar, në përputhje me planin operativ të miratuar, ndërsa e gjithë aksioni do të mbikëqyret nga përfaqësues të vetëqeverisjes lokale.

Nga Komuna e Tetovës u bëhet thirrje qytetarëve që gjatë kohës së dezinsektimit t’i mbajnë të mbyllura dritaret e shtëpive, banesave dhe objekteve afariste, si dhe të shmangin qëndrimin e panevojshëm në ambiente të hapura derisa të përfundojë trajtimi.

Po ashtu, qytetarët duhet t’i respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet e ekipeve që do të jenë të angazhuara në terren.

Paralajmërim i veçantë për bletarët

Një apel i posaçëm u drejtohet bletarëve, të cilët duhet të ndërmarrin me kohë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen dhe mbylljen e shoqërive të bletëve.

Qëllimi është të parandalohen pasojat e mundshme dhe dëmet ndaj bletëve gjatë trajtimit kundër insekteve.

Nga pushteti lokal theksojnë se dezinsektimi është një procedurë standarde parandaluese, që synon kontrollin dhe uljen e popullatës së insekteve, si dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë sezonit veror.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i respektojnë rekomandimet, në mënyrë që aksioni të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe efikase.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër