Shkup, 12 korrik Zhurnal.mk – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë nesër, duke filluar nga ora 11:00, seancën për rikonstruimin e Qeverisë, në të cilën pritet të shkarkohen dhe emërohen ministra të rinj në tetë resore.
Ky është rikonstruimi i parë i Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas propozimeve për përbërjen e re qeveritare:
Sasho Klekovski është propozuar për ministër të ri të Shëndetësisë. Ai vjen nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, ku pritet të zëvendësohet nga Zlatko Perinski.
Ivan Stoilkoviq do të marrë drejtimin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa Ministria e tij e deritanishme, ajo e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, do të drejtohet nga Agon Ferati.
Në Ministrinë e Drejtësisë, Jeton Shasivari është propozuar të zëvendësojë Igor Fillkovin.
Për ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është propozuar sekretari aktual shtetëror Borçe Serafimovski, i cili do të pasojë Cvetan Tripunovskin.
Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë do ta udhëheqë zëvendësministri aktual Gjoko Velkovski, i cili vjen në vend të Fatmir Limanit.
Ministër i ri i Kulturës dhe Turizmit është propozuar Sedat Sulejmani, i cili do ta zëvendësojë Zoran Ljutkovin.
Për ministër pa resor, i ngarkuar për përfshirjen dhe zbatimin e Strategjisë për Romët, është propozuar Erxhan Demir.
Ndërkohë, koalicioni qeveritar është zgjeruar me Partinë Demokratike të Turqve, deputeti i së cilës në periudhën e fundit vepronte si i pavarur.
Kryeministri Hristijan Mickoski pritet gjithashtu të bëjë publik emrin e kandidatit nga kjo parti që do të drejtojë një ministri pa resor.
