Peking, 12 korrik Zhurnal.mk – Të dielën, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës bëri një deklaratë lidhur me çështjen e Detit të Kinës Jugore, ku ndër të tjera thuhet se:
1. Kina mban sovranitetin mbi të gjithë ishujt në Detin e Kinës Jugore dhe ka të drejtat historike për Detin e Kinës Jugore. Sovraniteti i Kinës mbi ishujt e ndryshëm të Detit të Kinës Jugore dhe të drejtat e interesat përkatëse për këtë det janë përcaktuar gjatë një historie të gjatë. Që në periudhën e dinastisë Han Perëndimore në shekullin e 2-të para erës sonë, populli kinez lundronte në Detin e Kinës Jugore duke zbuluar me radhë ishujt e ndryshëm në këtë det. Kina është vendi i parë që ushtroi sovranitetin dhe administrimin mbi ishujt e Detit të Kinës Jugore dhe ujërat përkatëse detare në mënyrë të vazhdueshme, paqësore e efektive. Ka qenë prej kohësh konsensusi i bashkësisë ndërkombëtare që këta ishuj i përkasin Kinës.
2. Deti i Kinës Jugore është një nga kalimet detare më të sigurta në botë dhe nuk ka pasur kurrë asnjë problem lidhur me lirinë e lundrimit dhe fluturimit në det. Kina mbron me vendosmëri sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare në Detin e Kinës Jugore dhe mbron me vendosmëri paqen dhe qëndrueshmërinë detare.
3. Kina ngul këmbë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përkatëse mbi Detin e Kinës Jugore nëpërmjet negociatave dhe konsultimeve të drejtpërdrejta me vendet përkatëse në bazë të respektimit të fakteve historike dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, si edhe me mbrojtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Detin e Kinës Jugore.
4. Qëndrimi i Kinës për problemin e “arbitrazhit të Detit të Kinës Jugore” është i qartë, i qëndrueshëm dhe i vendosur. Në asnjë rrethanë, sovraniteti territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore nuk do të preken nga “vendimi”.
5. Ne u kërkojmë vendeve përkatëse të respektojnë sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore, si edhe të ndalojnë acarimin e mosmarrëveshjeve në lidhje me çështjen e Detit të Kinës Jugore dhe prishjen e paqes e të qëndrueshmërisë në këtë rajon.
