Derisa Maksim Dimitrievski po merret me pushtetin qendror, Kumanova po mbetet pa çerdhe!

Nga I.A
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Interesimi për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet e Kumanovës edhe këtë vit është tejet i madh, por kapacitetet e qytetit vazhdojnë të mbeten të pamjaftueshme. Qindra prindër presin në listë pritjeje, ndërsa objektet ekzistuese nuk arrijnë të akomodojnë të gjithë fëmijët e interesuar. Situata po përsëritet çdo vit, pa zgjidhje të qëndrueshme, ndërkohë që kryetari i Komunës, Maksim Dimitrievski, është më shumë i angazhuar në skenën politike qendrore sesa në problemet bazike të qytetit, shkruan Zhurnal.

Pse Dimitrievski nuk po e zgjidhë këtë problem?

Aktualisht, çerdhet e Kumanovës kanë kapacitet për 1.150 fëmijë, por kërkesa reale është dukshëm më e lartë. Sipas vlerësimeve profesionale, për të përmbushur nevojat e qytetit duhen të paktën tre objekte të reja. As regjistrimi i 372 fëmijëve në klasën e parë këtë shtator nuk pritet ta zbusë problemin, pasi çerdhet tashmë funksionojnë mbi kapacitetin e projektuar.

Drejtoresha e çerdhes “Angell Shajçe”, Ivana Nikoliq, për portalin Kumanovanews thotë se situata është e vështirë dhe se komuna po improvizon me hapësirat ekzistuese.

“Pritet që 372 fëmijë në shtator të regjistrohen nëpër shkolla, por kjo nuk do të thotë se ne do të kemi po aq vende të lira, sepse tashmë jemi duke punuar mbi kapacitetin e projektuar. Këshilli komunal e jep këtë pëlqim për pranimin e fëmijëve mbi kapacitetin e projektuar, sepse me të vërtetë kurë nuk e plotësojmë këtë kapacitet. Nuk kemi mundësi të tjera përpos adaptimit të hapësirave për zbutjen e këtij problemi. Shpresojmë se do ti rekonstruojmë të gjitha objektet, kurse ndërkohë shqyrtojmë edhe lokacionet të tjera ku tashmë gjenden objektet tona, por që ka mundësi për zgjerimin dhe adaptimin e të njëjtave.”, theksoi mes tjerash, Ivana Nikoliq, drejtoresh e “Angell Shajçe”.

Megjithëse autoritetet komunale kanë paralajmëruar disa herë ndërtimin e një objekti të ri, projektet nuk kanë avancuar. Arsyeja kryesore mbetet mungesa e mjeteve financiare. Komuna nuk ka kapacitet të mjaftueshëm buxhetor për investime të tilla, ndërsa ndihma nga shteti ende nuk është konkretizuar, fjala është për Ministrinë e Politikës Sociale, Rinisë dhe Demografisë.

Ndërkohë, prindërit përballen me pasiguri të vazhdueshme. Disa detyrohen të kërkojnë alternativa private, të cilat shpesh janë të kushtueshme por që realisht janë edhe të pamjaftueshme. Mungesa e çerdheve po shndërrohet në problem social dhe ekonomik, duke ndikuar në pjesëmarrjen e prindërve në tregun e punës dhe në cilësinë e shërbimeve për fëmijët.

Kujtojmë që Kumanova është një nga komunat më të mëdha në vend me banorë pas Shkupit, edhe përkundër kësaj ky qytet vazhdon të funksionojë me kapacitete të pamjaftueshme parashkollore, ndërsa zgjidhjet afatgjata mungojnë. Derisa kryetari Dimitrievski po angazhohet në skenën politike qendrore, qyteti i tij po përballet me një krizë të rëndë që ndërlidhet me mungesën e çerdheve për fëmijët e Kumanovës.

Prandaj është kohë sot dhe jo nesër të veprohet në këtë drejtim, pasi në secilin program zgjedhor janë premtuar ndërtime të çerdheve por në terren nuk shihen askund sepse askush nuk ndërmarrë masa për ta realizuar qoftë edhe një të vetme.  /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër