ASH: Në Komunën e Tearcës po anashkalohet gjuha shqipe, VLEN po hesht

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët (ASH) akuzon administratën lokale të Komunës së Tearcës për mosrespektim të përdorimit të gjuhës shqipe, duke theksuar se në një komunë ku mbi 90 për qind e popullsisë është shqiptare, institucionet përdorin gjuhën maqedonase dhe turke, ndërsa shqipja lihet jashtë komunikimit zyrtar, transmeton Zhurnal.mk.

Në një reagim publik, ASH e cilëson këtë si një veprim të papranueshëm dhe fyes ndaj qytetarëve shqiptarë.

“Gjuha shqipe nuk është gjuhë e dorës së dytë në Tearcë, por gjuha e shumicës dhe përdorimi i saj garantohet me ligj”, thuhet në reagimin e partisë.

Aleanca për Shqiptarët kritikon edhe koalicionin VLEN, duke e akuzuar për heshtje ndaj, siç thotë, shkeljes së të drejtave gjuhësore.

“Sot ata që premtuan mbrojtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe nuk reagojnë as kur ajo injorohet në një komunë me shumicë dërrmuese shqiptare. Qytetarët e Tearcës nuk votuan që gjuha e tyre të përjashtohet nga institucionet”, thekson ASH.

Partia kërkon përgjegjësi nga përfaqësuesit e VLEN-it dhe vlerëson se koha e sloganeve dhe premtimeve ka përfunduar, ndërsa qytetarët presin veprime konkrete për respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.

artikuj të ndërlidhura