Tiranë, 20 korrik Zhurnal.mk – Kuvendi zhvillon sot, në orën 12:00, seancën plenare ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me procesin e integrimit europian, legjislacionin ekonomik, si edhe veprimtarinë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.
Sipas rendit të ditës të miratuar me urdhrin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 16 korrikut dhe njoftimet.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është paraqitja e Raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, i cili do të prezantohet nga bashkëkryetarët e këtij këshilli, në zbatim të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ekonomik.
Në vijim të seancës, Kuvendi pritet të diskutojë dhe të votojë tetë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe organeve të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.
Konkretisht, do të shqyrtohen raportet dhe projektrezolutat për Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Për secilën prej këtyre çështjeve parashikohet prezantimi i raporteve nga drejtuesit e institucioneve përkatëse, paraqitja e projektrezolutave nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, si edhe zhvillimi i debateve parlamentare, në rast se ato kërkohen sipas Rregullores së Kuvendit.
Seanca plenare do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.
