Shkup, 20 korrik, Zhurnal.mk – Në zgjedhjet lokale të tetorit, narrativa politike ishte e qartë qytetarët duhej të votonin për kryetarë që nuk diskriminojnë, nuk vjedhin, punojnë, bashkëpunojnë me pushtetin qendror dhe nuk krijojnë ndarje etnike apo partiake. Mesazhi ishte se “komunat do të mbështeten njësoj”, pavarësisht përkatësisë së kryetarëve. Në këtë atmosferë, Kërçova dhe Shkupi u shfaqën si dy shembuj të “bashkëqeverisjes” dy qytete ku kandidatët maqedonas kërkuan hapur edhe votat e shqiptarëve. Retorika e fushatës ishte e moderuar, e orientuar drejt bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Por vetëm pak muaj më vonë, dy veprime simbolike njëri në Kërçovë, tjetri në Shkup e kanë vënë në pikëpyetje sinqeritetin e kësaj retorike. Në të dy rastet, gjuha shqipe është lënë jashtë hapësirës publike, sikur votat shqiptare kanë vlerë vetëm deri ditën e zgjedhjeve, shkruan Zhurnal.
Çfarë ndodhi në Kërçovë?
Kërçova ishte kryefjala e zgjedhjeve të kaluara lokale. Kryetari aktual, në fushatë, kërkonte hapur votat e shqiptarëve, duke u paraqitur si kandidat i të gjithëve. Por veprimi i tij i parë simbolik pas zgjedhjeve ka qenë pikërisht heqja e bilbordit “Mirë se vini, mërgimtarë” në gjuhën shqipe.
Bilbordi, i cili për vite me radhë i ka përshëndetur mërgimtarët shqiptarë që kthehen në vendlindje, u zëvendësua me një version “neutral”, në tre gjuhë. Në teori, kjo mund të duket si qasje inkluzive. Por në praktikë, ky veprim ka dy probleme të mëdha që ndërlidhen me heqjen e shqipes si gjuhë e parë nuk është neutralitet por është relativizim i identitetit lokal.
Mesazhi politik që dërgohet është se simbolika shqiptare duhet “balancuar”, edhe në një qytet ku shqiptarët janë pjesë e pandashme e jetës publike. Ky veprim nuk është rastësisht por tregon një lloj frike nga shqipja, një lloj kalkulimi politik që synon të mos “provokojë” opinionin maqedonas, edhe në kurriz të votuesve shqiptarë që e kanë mbështetur kryetarin.
Çfarë ndodhi në Shkup?
Në Shkup, situata është edhe më e qartë. Kryetari aktual, i cili po ashtu kërkoi votat e shqiptarëve, vendosi bilborde publike vetëm në maqedonisht dhe anglisht, sikur shqiptarët nuk ekzistojnë fare në kryeqytet.
Shkupi është qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve në vend. Ligji për përdorimin e gjuhëve e detyron përdorimin e shqipes në institucionet lokale. Por megjithatë, në komunikimin publik të kryetarit, shqipja mungon krejtësisht. Pas reagimeve të shumta publike, kryetari pranoi se “ka pasur lëshime në përmbajtje”, por mungesën e gjuhës shqipe nuk e mori as në konsideratë.
Kjo nënkupton se shqipja nuk shihet si pjesë e detyrueshme e komunikimit institucional, por si diçka opsionale. Votat shqiptare janë të mirëseardhura, por identiteti shqiptar nuk është. Kjo qasje nuk është thjesht gabim teknik por mesazh politik, gjuha shqipe nuk është prioritet, madje as kur ligji e kërkon.
Çfarë u pengon shqipja kryetarëve që fituan edhe me votat shqiptare?
Rastet e Shkupit dhe Kërçovës nuk janë të izoluara. Ato tregojnë një model të ri politik ku kandidatët maqedonas kërkojnë votat e shqiptarëve për të fituar, por pas zgjedhjeve shqipja kthehet në “problem” që duhet shmangur.
Në thelb, shqipja u pengon sepse respektimi i saj kërkon vullnet politik, dhe ky vullnet mungon. Kryetarët që fituan edhe me votat shqiptare po tregojnë se nuk e shohin shqipen si pjesë të identitetit të qytetit, por si barrë që duhet menaxhuar me kujdes.
Kujtojmë që, Shkupi dhe Kërçova po dëshmojnë se problemi i gjuhës shqipe nuk është teknik, por politik. Kryetarët që kërkuan votat e shqiptarëve po tregojnë se respekti për shqipen nuk është pjesë e agjendës së tyre e kjo gjë duhet të korrigjohet sa më parë. /Zhurnal.mk
