Editorial / Pse LSDM kaq “lotë krokodilli”, kur ata deri dje 8 vjet ishin në pushtet dhe asgjë s’bën nga reformat të cilët sot ende janë nën vërejtjen e KE-së?

Nga I.A
1,112 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 korrik – Është shumë e kuptueshme që roli i opozitës është t’i bëj oponencë partisë në pushtet, por kur me vite të tëra nuk arrin të zgjedhësh problemet për të cilat akuzon sot, duket më shumë dyftyrësi se sa luajtja e rolit të opozitës. LSDM gati tetë vite ishte në pushtet, por nuk arriti t’i zgjidhë asnjë nga sëmundjet e shoqërisë së Maqedonisë së Veriut, për të cilat sot vajtojnë. Nuk u zgjidh as mungesa e sundimit të ligjit, as përhapja e korrupsionit dhe as politizimi i administratës. Të akuzosh blanko për këto probleme është sikur të derdhish “lot krokodilli”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Cilat janë vërejtjet e Komisionit Evropian!

Vërejtjet kryesore të Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut, të pasqyruara në raportet e fundit të progresit, përqendrohen te mungesa e përparimit në sundimin e ligjit, përhapja e korrupsionit të nivelit të lartë, polarizimi i skajshëm politik dhe vonesat në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Edhe pse Maqedonia e Veriut vlerësohet për harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, reformat e brendshme strukturore mbeten të bllokuara ose ecin me ritme shumë të ngadalta.

Në kuadër të sundimit të ligjit, KE-ja thekson me shqetësim rënien e besimit të opinionit publik te sistemi gjyqësor, gjithashtu ndikimet politike dhe mungesa e llogaridhënies brenda Këshillit Gjyqësor mbeten pika kritike, ndërkaq nuk ka pasur progres real në efikasitetin dhe pavarësinë e plotë të gjykatave dhe prokurorive.

Korrupsioni mbetet seriozisht shqetësues dhe i pranishëm në shumë sfera të jetës publike, ndërkaq KE kërkon me ngulm miratimin e një Kodi të ri Penal që ndëshkon në mënyrë efektive krimin e organizuar.

Kuvendi është kritikuar për përdorimin e procedurave të përshpejtuara (me flamur të BE-së) për ligje që nuk lidhen me reformat evropiane, duke shmangur debatin e mirëfilltë. Mungesa e konsensusit ndërmjet partive politike pengon zbatimin e agjendës strategjike dhe miratimin e reformave kyçe, ndërkaq kërkohet përshpejtimi i përfshirjes së pakicave (përfshirë bullgarët) në Kushtetutë për të hapur kapitujt e parë të negociatave.

Sëmundje tjetër e thellë në Maqedoninë e Veriut mbetet politizimi i administratës, ku KE kërkon zbatimin e plotë të ligjeve të reja për nëpunësit administrativë për të krijuar një sistem të bazuar ekskluzivisht në meritë.

Emigrimi masiv dhe mospërputhja e aftësive të punëtorëve me kërkesat e tregut dëmtojnë rritjen ekonomike.
Për të ecur përpara, raporti i Komisionit Evropian nënvizon se Maqedonisë së Veriut nuk i mjaftojnë më deklaratat politike pro-evropiane, por i duhen rezultate të prekshme dhe institucione që funksionojnë jashtë ndikimit partiak, shkruan “Zhurnal.mk”.

LSDM po derdhë “lot krokodilli”!

Partia opozitare maqedonase LSDM, fatkeqësisht edhe pas humbjes së zgjedhjeve nuk po arrin që ta marrë veten. Edhe pse dukej si një forcë progresiste, ata nuk arritën që ta bashkojnë partinë, por fatkeqësisht nga një parti e madhe u bënë dy parti të vogla bashkë me “ZNAM”.
Kjo e fundit u bë pjesë e qeverisë, dhe në këtë formë, opozita dështoi që të bëjë detyrën e saj, duke qenë një parti opozitare konstruktive. Fillimisht partia duhej të kërkojë arsyet e dështimit të tyre, por kjo nuk ndodhi, sepse partia vazhdoi rrugëtimin me po të njejtit njerëz kur ishte në pushtet.

Tani, mundohet të luaj rolin e opozitës, por fatkeqësisht me deklaratat e saj shpesh po bën vetvrasje politike.

Nëse akuzon për mosrespektimin e sundimit të ligjit, fillimisht duhet vënë gishtin në kokë e të pyesë se përse për tetë vite pushtet nuk arriti të bëjë asnjë hap përpara në këtë drejtim. Pse nga ata që u akuzuan asnjë nuk u dënua, çfarë pazare politike u bënë dhe pse u miratua ligji që zbuste dhe i falte shumicën e veprave penale!

Korrupsioni gjithashtu mbetet në nivel të lartë. As atëherë, e as tani nuk ka ndonjë rezultat konkret. Atëherë plot afera, tani plot afera korruptive, e shumë pak prej të akuzurave përfundojnë prapa grilave.

Administrata vazhdon të mbetet e politizuar. Asnjë punësim nuk bëhet pa librezë partiake, siç thuajse ka ndodhur gjithmonë. Tani shumica e atyre administratorëve të LSDM-së, u kthyen në “ZNAM” dhe vazhdojnë të thithin benefitet e pushtetit.

Prandaj, për të bërë opozitë të shëndetshme, fillimisht duhet të jesh i sinqertë me votuesit e tu dhe me vetveten. Nëse nuk merr përgjegjësinë për veprat e tua, tani të vajtosh dhe ankohesh pse tjetri i bën gabimet e njëjta, është ngjashëm sikur të amnistosh vetveten dhe të fajësosh tjetrin. Kjo është hipokrizi dhe mashtrim i vetvetes!, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër