Salla: Rehabilitimi i Hidrovorit të Hamallajt garanton mbrojtje më të madhe nga përmbytjet

Nga D. V.
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Rehabilitimi i Hidrovorit të Hamallajt në Durrës, ka rritur kapacitetet e sistemit të kullimit, duke forcuar mbrojtjen e tokave bujqësore, zonave të banuara dhe atyre turistike nga përmbytjet.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, inspektuan përfundimin e punimeve në këtë objekt, i cili është një nga nyjet kryesore të sistemit të kullimit në zonën e Hamallajt.

Investimi ka përfshirë rikonstruksionin e stacionit të pompimit, instalimin e pompave të reja me kapacitet më të lartë, sistemeve automatike të komandimit dhe pajisjeve moderne teknike, duke rritur ndjeshëm efikasitetin dhe sigurinë e funksionimit të hidrovorit.

Salla e cilësoi ndërhyrjen një investim strategjik për një zonë me zhvillim të shpejtë bujqësor dhe turistik.

“Ky është një investim i domosdoshëm për të parandaluar problematikat gjatë sezonit të dimrit, pasi rreth 2 mijë hektarë tokë bujqësore varen nga funksionimi i këtij hidrovori. Ky investim nuk i shërben vetëm bujqësisë, por edhe turizmit, i cili po zhvillohet me ritme të shpejta në këtë zonë. Është e rëndësishme që, krahas përgatitjes për sezonin veror, të garantojmë infrastrukturën e nevojshme edhe për përballimin e sezonit të dimrit”, deklaroi ministri.

Sipas tij, investimi ishte një kërkesë e Bashkisë Durrës dhe u financua nga Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Salla shtoi se qeveria do të vijojë investimet në modernizimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit në të gjithë vendin, me synim mbështetjen e fermerëve, mbrojtjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Falë këtij investimi është rritur ndjeshëm kapaciteti dhe siguria e sistemit të kullimit, duke garantuar mbrojtjen e mbi 1 300 hektarëve tokë bujqësore, si dhe të zonave të banuara e turistike të Bashkisë Durrës, ndërsa përfitimet shtrihen edhe në sipërfaqe të tjera bujqësore që varen nga funksionimi i këtij sistemi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër