Aktiviteti do të mbahet në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku qytetarët do të kenë mundësi të nënshkruajnë peticionin për të mbështetur ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Në një intervistë për EO, hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala kishte deklaruar se kjo nismë vjen si përgjigje ndaj mosrespektimit të vazhdueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe nevojës për forcimin e sundimit të ligjit.
“Po, fillimisht, një nismë e tillë nga ajo që kemi njoftuar si IKD paraqet një veprimin e parë, veprimin fillestar për njoftimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për inicimin e një nisme të tillë, e cila nismë mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Nismat Legjislative. Arsyet, do të thotë, pse e kemi ngritur këtë çështje kanë të bëjnë në drejtim të dy çështjeve: që është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe inkriminimi i veprimeve të akterëve politikë të cilët janë në pushtet përmes veprimeve të cilat cenojnë garën politike”, tha Shala.
