Kroacia vendos kushte për Malin e Zi për përfundimin e negociatave me BE-në

Nga R.ZH
1,271 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Kroacia ka bërë të ditur se zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura dypalëshe me Malin e Zi është parakusht i domosdoshëm që Podgorica të përfundojë me sukses negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, transmeton Zhurnal.mk.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë njoftuan se qëndrimet e Zagrebit janë të qarta dhe se presin zgjidhje për disa çështje, ndër të cilat janë kompensimi i ish-të burgosurve në kampet e paraburgimit, vazhdimi i kërkimeve për 14 personat e zhdukur nga periudha e Luftës për Pavarësi, si dhe ndjekja penale e përgjegjësve për krimet e luftës.

Si pjesë e çështjeve të pazgjidhura, Kroacia përmend edhe kërkesat pronësore të familjeve kroate që kanë mbetur pa pronat e tyre në Mal të Zi, ruajtjen e memorialit në vendin e ish-kampit Morinj, vazhdimin e bisedimeve për përcaktimin e kufirit detar, si dhe kthimin e anijes shkollore “Jadran”.

Nga Ministria u bëhet thirrje autoriteteve malazeze që në muajt e mbetur deri në fund të vitit 2026 të angazhohen në një dialog konstruktiv dhe të përshpejtojnë punën për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Në njoftim thuhet se Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se nuk dëshiron që mosmarrëveshjet dypalëshe të bëhen pjesë e procesit të zgjerimit, prandaj ato duhet të zgjidhen me kohë në mënyrë që të mos paraqesin pengesë për procesin e anëtarësimit.

Kroacia rikujton se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga kriteret kryesore politike për anëtarësim në BE dhe se ky parim është i përfshirë në kornizën negociuese të Malit të Zi dhe të vendeve të tjera kandidate.

Deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 18 nga gjithsej 33 kapituj negociues dhe mbetet vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian tashmë ka miratuar fillimin e përgatitjes së projekt-marrëveshjes së anëtarësimit, ndërsa Komisioni Evropian ka miratuar një kornizë financiare me vlerë pothuajse 3,2 miliardë euro, bazuar në pritshmëritë se vendi mund të bëhet anëtar me të drejta të plota i BE-së në vitin 2028.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër