Tensione para Kuvendit, protestuesit përplasen me policinë dhe heqin gardhin metalik

Nga D V
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 korrik, Zhurnal.mk –  Paraditen e sotme u shënuan tensione para Kuvendit të Shqipërisë, ku qytetarë të mbledhur në protestë u përplasën me forcat e Policisë së Shtetit, pak para nisjes së seancës plenare.

Protestuesit, të cilët ishin mbledhur përpara godinës së Parlamentit, arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur nga policia për sigurimin e perimetrit.

Më pas ata hodhën vezë, domate dhe bidonë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa nga ana e organizatorëve pati edhe thirrje për të mos sulmuar uniformat blu.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si: “Deputetë frikacakë”, “Ju erdhi fundi”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria” dhe “Nuk na përfaqësoni”, ndërsa protestuesit kërkuan lirimin e Kryeministrit Edi Rama.

Sipas medieve, një efektiv policie mbeti i lënduar gjatë përplasjeve.

Protestuesit u përpoqën të bllokojnë rrugën te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit duke mos lejuar kalimin e mjeteve.

Policia e Shtetit kishte marrë masa të forta sigurie për zhvillimin e seancës plenare, duke rrethuar Kuvendin me gardhe metalike në një perimetër më të gjerë se në protestat e mëparshme, nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme.

Në zonë u dislokuan forca të shumta policie, përfshirë repartet “Shqiponja”, ndërsa pranë Parlamentit u vendosën edhe autobotë me ujë në gatishmëri, në rast të përshkallëzimit të situatës.

Për shkak të masave të sigurisë, hyrja në zonën e rrethuar u kufizua jo vetëm për qytetarët dhe automjetet, por edhe për përfaqësuesit e mediave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër