Tiranë, 23 korrik, Zhurnal.mk – Opozita ka pasur debate me përfaqësuesit e mazhorancës për afatet e Reformës Territoriale, gjatë mbledhjes në Konferencën e Kryetarëve.
Bardhi: Na ka ardhur dje një e-mail me një raport për Reformën Territoriale. Ne nuk e dimë se nga vjen ky dokument dhe nuk sqarohet askund origjina e tij. Kuvendi nuk mund ta trajtojë në këtë mënyrë. Nuk mundet që Kryetari i Kuvendit të sjellë dokumente për të cilat nuk dihet se nga vijnë.
Prandaj e pyes Kryetarin e Kuvendit: ku e ka marrë këtë dokument? Komisioni për Reformën Territoriale nuk ka miratuar asnjë dokument. Prandaj duhet të bëhemi seriozë. Nuk mund të marrim një dokument, sikur Arbi Mazniku të ketë shkruar një doktoraturë, dhe ta sillni ju këtu. Si mund të vijë një dokument në Kuvend pa kaluar më parë në komision?
Po ju them se komisioni nuk e ka kryer punën. Ka pasur shtatë detyra dhe janë realizuar vetëm dy. Në planin e punës janë 16 pika, nga të cilat janë realizuar vetëm tre. Komisioni nuk ka kryer as konsultat e parashikuara. Prandaj kemi kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit.
Ndërsa, për pikën e parë të Konferencës së Kryetarëve, që ishte miratimi i kalendarit të punimeve, nuk pati dakordësi, pasi opozita kundërshtoi se nuk përfshiheshin projektligjet e saj.
Balla: Ne, si mazhorancë, nuk kemi pasur një kërkesë për zgjatjen e afatit të punës së komisionit dhe, në këto kushte, kemi sjellë produktin e punës. Kjo është një praktikë e njohur.
Po ju kujtoj se kemi edhe një komision tjetër, atë të Reformës Zgjedhore. Për atë komision na ka ardhur një kërkesë për shtyrje dhe ne e kemi pranuar. Për Reformën Territoriale nuk kemi pasur një kërkesë të tillë.
Në këto kushte, Konferenca e Kryetarëve, para pak ditësh, ashtu siç vendosi shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, për Reformën Territoriale u dha mundësinë bashkëkryetarëve të komisionit të paraqesin produktin e punës së tyre.
Nuk ka mbaruar puna për Reformën Territoriale. Doni të bëni reformë apo teatër? Ju nuk keni pyetur as 30% të qarkut më të madh, siç është Tirana.
Nëse doni ta prishni konsensusin, bëjeni. Por mos na vini këtu me teatro. Ne po ju themi se puna në Komisionin për Reformën Territoriale nuk ka përfunduar. Ka ende nevojë për punë, sepse kjo reformë prek drejtpërdrejt qytetarët. Është një reformë e rëndësishme.
Nëse doni ta prishni konsensusin, bëjeni. Por këtu mos na bëni teatër.
Boçi: Rregullorja e thotë qartë: Kuvendi nuk mund të shqyrtojë asnjë dokument që vjen nga institucione të tjera, përveçse përmes rrugës parlamentare. Ky raport që doni të kaloni sot nuk është produkt i Komisionit Parlamentar.
Nuk mund të ketë raport përfundimtar pa kaluar më parë në komision. Ju thoni se ka mbaruar afati. Po unë them se nuk ka mbaruar puna. Si mund të ketë raport përfundimtar për një punë të pambaruar? Është kaq e thjeshtë!
