Inter Miami nën hetim nga MLS pas transferimit të Casemiros

Nga D. V.
544 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Inter Miami është vënë nën hetim nga Major League Soccer (MLS) vetëm pak çaste pasi zyrtarizoi transferimin e mesfushorit brazilian Casemiro.

Klubi nga Florida njoftoi të mërkurën se ka firmosur me 34-vjeçarin, i cili u largua nga Manchester United në fund të sezonit të kaluar.

Kontrata e tij është e vlefshme deri në fund të sezonit 2027 në MLS, me opsion për zgjatje deri në qershor të vitit 2029.

Megjithatë, menjëherë pas prezantimit të lojtarit, MLS publikoi një komunikatë ku konfirmoi se ka hapur një hetim për një dyshim mbi shkeljen e rregullave të negociimit (“tampering”) nga Inter Miami.

“Liga po mbledh të gjitha informacionet e nevojshme dhe nuk do të japë komente të tjera deri në përfundimin e hetimit”, thuhet në deklaratën e MLS.

Çfarë po hetohet?

Hetimi lidhet me të ashtuquajturat “discovery rights”, një rregull specifik në MLS që i jep një klubi të drejtën e parë për të negociuar me një futbollist në rast se ai vendos të transferohet në kampionatin amerikan.

Çdo klub mund të ketë deri në pesë lojtarë në listën e tij të “discovery rights”, duke fituar përparësi ndaj skuadrave të tjera.

Në rastin e Casemiros, këto të drejta i zotëronte LA Galaxy. Inter Miami kishte njoftuar se kishte arritur marrëveshje me klubin kalifornian për transferimin e këtyre të drejtave, por MLS po verifikon nëse gjatë procesit janë respektuar të gjitha rregulloret.

Edhe LA Galaxy konfirmoi se është arritur një marrëveshje me Inter Miamin për “discovery rights” të Casemiros, ndërsa detajet financiare do të bëhen publike vetëm pasi të përfundojë hetimi i ligës.

Casemiro nisi aventurën e re në SHBA

Casemiro kishte njoftuar në janar se do të largohej nga Manchester United në fund të sezonit 2026/27, pasi palët vendosën të mos rinovonin kontratën.

Braziliani largohet nga “Old Trafford” pas 160 paraqitjeve, ku shënoi 26 gola dhe dha 14 asistime, duke fituar Kupën FA dhe Kupën e Ligës (EFL Cup) me “Djajtë e Kuq”.

Më herët në karrierë, ai shkroi historinë me Real Madridin, ku fitoi pesë trofe të Ligës së Kampionëve, ndërsa këtë verë ishte pjesë e përfaqësueses së Brazilit në Kupën e Botës.

“Motivimi im më i madh është të vazhdoj të fitoj dhe të rritem si futbollist”, deklaroi Casemiro pas prezantimit.

Beckham e mirëpret transferimin

Bashkëpronari i Inter Miamit, David Beckham, e përshëndeti afrimin e brazilianit.

“Ai është një fitues që ka arritur gjithçka në futboll. Pas një karriere të jashtëzakonshme te Real Madridi dhe Manchester United, jam shumë i lumtur që ka zgjedhur Miamin si destinacionin e tij të radhës”, u shpreh Beckham.

Te Inter Miami, Casemiro do të luajë përkrah emrave të njohur si Lionel Messi, Rodrigo De Paul dhe ish-bashkëlojtari i tij te Real Madridi dhe Manchester United, Sergio Reguilón.

Nuk është hera e parë që Inter Miami hetohet

Ky nuk është rasti i parë kur Inter Miami përballet me probleme për transferimet.

Në vitin 2021, klubi u gjobit me 2 milionë dollarë nga MLS për shkelje të rregullave financiare gjatë transferimit të Blaise Matuidit nga Juventusi.

Liga konstatoi se mesfushori francez ishte paguar mbi kufirin e lejuar, duke bërë që Inter Miami të kishte katër “Designated Players”, ndonëse rregullorja lejon maksimumi tre.

Ky sistem, i njohur si “Rregulli Beckham”, u krijua në vitin 2007 pas transferimit të David Beckhamit te LA Galaxy.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër