Editorial – BE-ja qindraherë ka thënë se duhet përmirësohet sundimi i ligjit, por apelet po shkojnë në vesh të shurdhër!

Nga I.A
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 korrik – Ambasadori i BE‑së në Shkup, Mihalis Rokas edhe një herë ka përsëritur se ekzistojnë tre fusha kyçe në të cilat vendi duhet të mbetet i përkushtuar në rrugën drejt BE-së, dhe njëra prej tyre është sundimi i ligjit. Veçanërisht është e rëndësishme që gjyqësori të jetë i fuqizuar kadrovikisht dhe financiarisht, si dhe i çliruar nga ndikimet politike. Por të gjitha këto apele dhe sugjerime siç duket po shkojnë në vesh të shurdhër të pushtetarëve në Shkup, shkruan “Zhurnal.mk”.

BE-ja e do Maqedoninë e Veriut pa korrupsion dhe me sundim të ligjit!

Ambasadori Rokas ka thënë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të kenë asnjë dyshim se Komisioni Evropian është plotësisht i përkushtuar ta shohë vendin tuaj si anëtar të plotë të BE‑së”.

BE-ja ka analizuar edhe aspektet financiare të procesit, ku sipas një studimi të përgatitur për rastin e Malit të Zi, kostoja e zgjerimit do të ishte më pak se një euro në ditë për qytetar, gjë që tregon se procesi është financiarisht i qëndrueshëm, shkruan “Zhurnal.mk”.

Gjyqësori të jetë i çliruar nga ndikimet politike

Ekzistojnë tre fusha kyçe ku Maqedonia e Veriut duhet të mbetet e përkushtuar, dhe njëra prej tyre është sundimi i ligjit. Në këto fusha nuk mund të ketë kompromis, sepse ato janë kriteret themelore mbi të cilat mbështetet procesi i anëtarësimit.

Sundimi i ligjit do të mbetet kriteri kryesor sipas të cilit do të vlerësohet përparimi i çdo vendi kandidat, dhe se përveç reformave ligjore, është e domosdoshme të sigurohet administratë publike profesionale dhe efikase, si dhe të plotësohen pozicionet e zbrazëta në gjyqësor.

Veçanërisht e rëndësishme që gjyqësori të jetë i fuqizuar kadrovikisht dhe financiarisht dhe i çliruar nga ndikimet politike. Buxheti, duhet të sigurojë mjete të mjaftueshme për funksionimin e tij të pandërprerë, sepse gjyqësori efikas dhe i pavarur është parakusht kyç për eurointegrim të suksesshëm.

Për përparim të mëtutjeshëm do të nevojitet domosdoshmërisht konsensus politik, reforma të vazhdueshme dhe përkushtim i plotë ndaj sundimit të ligjit si vlera themelore evropiane, shkruan “Zhurnal.mk”.

Cili është niveli i sundimit të ligjit në tre vitet e fundit!

Në analizën që ka bërë “Zhurnal.mk”, sundimi i ligjit në Maqedoninë e Veriut gjatë periudhës 2024–2026 ka shënuar një rrugëtim stagnimi me përparime minimale teknike, por me rritje të presioneve politike mbi gjyqësorin, sipas raporteve vjetore të Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit.

Në vitin 2024 për herë të parë, Maqedonia e Veriut u përfshi zyrtarisht në Raportin e KE-së për Sundimin e Ligjit. Ndryshimet ligjore të fundit të vitit 2023 vështirësuan dënimin e rasteve të korrupsionit të lartë prandaj u miratua korniza e Strategjisë për Reformë në Drejtësi (2024–2028).

Në vitin 2025, sfida kryesore ishte mungesa financiare dhe teknike. Këshilli për Monitorim nuk funksionoi siç duhet për shkak të mungesës së koordinimit dhe mjeteve financiare, ndërkaq gjyqësori mori vetëm 0.3% të buxhetit të Bruto Prodhimit Vendas.

Pikë pozitive në këtë vit është se nga tetori i vitit 2024 e përgjatë 2025-ës, të gjitha gjykatat filluan zbatimin e detyrueshëm të incizimeve audio dhe video të seancave.

Ndërkaq në vitin aktual, 2026 Raporti i korrikut 2026 i KE-së ngre alarm për deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë që synojnë “spastrimin” e gjyqësorit, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje direkte në gjyqësor.

Komisioni Antikorrupsion rriti numrin e verifikimeve sistematike të pasurisë së zyrtarëve në 42 raste (krahasuar me vetëm 14 në vitin 2024), ndërkaq krizë kryesore mbetet kriza e mungesës së personelit. Në këtë pjesë, mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj arriti pikën kritike për shkak të fondeve të pakta për mbështetjen e personelit akademik në Akademi.

Edhe pse përqindja e zbatimit të aktiviteteve të reformës u rrit nga 42.9% në 57% në vitin 2026, pavarësia politike dhe qëndrueshmëria financiare e sistemit mbeten dy pikat më të dobëta të Maqedonisë së Veriut gjatë këtij trevjeçari, shkruan “Zhurnal.mk”.

Sundimi i ligjit mos të përfundojë në vesh të shurdhër!

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit në Maqedoni, thuhet qartsë se ndërhyrja dhe presioni nga degë të tjera të shtetit vazhdojnë të ngrenë shqetësime serioze në lidhje me respektimin e pavarësisë gjyqësore.

Zyrtarët e zgjedhur dhe përfaqësuesit e qeverisë kanë intensifikuar kritikat e tyre personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i akuzuar ata për korrupsion, dhe janë bërë deklarata në nivelet më të larta të qeverisë në lidhje me planet për të “pastruar” gjyqësorin dhe prokurorët”.
Prandaj këto deklarata rrezikojnë të minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Me rëndësi është që mos të përfundojnë në vesh të shurdhër mesazhet kryesore nga Komisioni Evropian, që vendi të mbetet i përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian, por reformat thelbësore të vazhdojnë të ecin me rimtin e duhur, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër