Prokurorja kërkon dënimin e Lushtakut dhe të tjerëve: Ndikuan te dëshmitarët, u premtuan para, banesë dhe shërim

Nga D. V.
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 korrik, Zhurnal.mk – Prokurorja Florije Shamolli ka kërkuar që Sami Lushtaku dhe të akuzuarit e tjerë të dënohen sipas ligjit, duke pretenduar se në rastin “Drenica 1” ishte ushtruar ndikim mbi dy dëshmitarë të mbrojtur, me qëllim ndryshimin e deklaratave të tyre, raporton Ekonomia Online.

Gjatë fjalës përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Shamolli tha se dëshmitarëve u ishin premtuar shuma parash, banesë në Fushë Kosovë, pagë mujore dhe shërim për bashkëshorten e njërit prej tyre, në këmbim të ndryshimit të deklaratave të dhëna më herët.

Sipas saj, këta dëshmitarë, të cilët fillimisht kishin dhënë deklarata në bazë të të cilave ishte ngritur aktakuzë në rastin “Drenica 1”, më pas i ndryshuan deklaratat gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe u shpallën dëshmitarë armiqësorë.

“Nga ky rast mësuam se ishte ngritur një aktakuzë në rastin Drenica ku në mesin e të akuzuarve kishte dhe persona me të cilën mbi bazën e të cilëve kjo aktakuzë ishte ngritur në rastin e dy dëshmitarëve të mbrojtur siç ishte dëshmitari C dhe dëshmitari F. Para se të ngritet kjo aktakuzë këta dy dëshmitarë kishin deklaruar diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që po ndodhte në shqyrtimin gjyqësor. Mbi bazën e këtyre dëshmive të të cilat këta dëshmitarë kishin dhënë, prokuroria e atëhershme kishte ngritur aktakuzë dhe seancat gjyqësore po mbaheshin në Mitrovicë. Mirëpo me të arritur këta të akuzuar se kush janë dëshmitari C dhe B, i ndërmorrën të gjitha masat me qëllim që të ndikojnë tek këta dëshmitarë për ta bërë ndryshimin e deklaratave të cilat ky dëshmitar i kishte dhënë në fazën e mëhershme”, tha ajo.

Shamolli tha se dy dëshmitarët kishin ndryshuar tërësisht deklaratat e tyre në seancat kryesore, ndërsa njërit prej tyre, sipas saj, i ishin premtuar para, banesë dhe shërim i bashkëshortes.

“Edhe çfarë ndodhi? I arritën qëllimin. Këta dy dëshmitarë të cilët në atë kohë ishin të mbrojtur, dëshmitari C dhe F në seancat kryesore tërësisht ndryshuan deklaratat e tyre. Me çka edhe në atë kohë u shpallën si dëshmitarë armiqësorë. Këta dëshmitarë u kontaktuan me këta të akuzuar duke i premtuar shuma të ndryshme të parave, banesë në Fushë Kosovë, si dhe shërimin e bashkëshortes së tij meqenëse ajo vuante nga një sëmundje dhe kishte nevojë për kontrollim shëndetësor jashtë vendit. Këta kontaktuan me këtë dëshmitar, e morën përsipër që t’ja shërojnë bashkëshorten, e morën përsipër t’ja sigurojnë një banesë në Fushë Kosovë i premtuan pagë mujore në vlerë prej 500 euro si dhe të gjitha shpenzimet të cilat ky dëshmitar do t’i kishte për nevojat e veta. Tanimë me të pranuar këto para ky dëshmitar pranoi dhe bëri tërësisht ndryshimin e deklaratës së tij në shqyrtimet kryesore duke thënë se nuk është e vërtetë ajo që ka thënë para prokurorit, nuk është e vërtetë që din që kanë shkruar diçka të tillë. Saqë arriti të bëjë edhe një letër duke e drejtuar prokurorisë speciale dhe duke i udhëzuar kallëzim penal hetuesve dhe prokurorëve në atë rast”, tha ajo.

Prokurorja pretendoi se dëshmitarit më pas i ishin siguruar trajtimi shëndetësor i bashkëshortes në Beograd, hoteli dhe shpenzime të tjera, ndërsa pas kthimit i ishin dhënë 10 mijë euro, ndonëse, sipas saj, i ishin premtuar 20 mijë euro.

“Pasi ky dëshmitar u vendos në banesën e tij në Fushë Kosovë ai përfundoi edhe me tëpër të holla nga këta, dhe të njëjtit pranuan që t’ja dërgojnë bashkëshorten e tij të shërohet në Beograd, arritën t’ja sigurojnë një librezë shëndetësore për bashkëshorten e tij, arritën t’ja paguajnë hotelin i cili u vendos në hotel Beograd në Serbi, dhe bëri një karton mjekësor për shërim kështu që për të mos paguar nevojat. Dhe pas kthimit nga ky shërim i dhanë 10 mijë euro mirëpo i kishin premtuar të njëjtit 20 mijë euro. Duke parë ky dëshmitar se nuk po i përmbushin këta të akuzuarit ato obligime të cilat i kishin premtuar, ai filloi që të paraqes rastin dhe tentoi që ta shes banesën”, tha ajo.

Shamolli tha se, pasi të akuzuarit kishin kuptuar se dëshmitari po tentonte ta shiste banesën, mes tyre kishin nisur konfliktet dhe se dëshmitari kishte kërkuar ndihmë mjekësore.

Ajo deklaroi se më pas prokurorët e EULEX-it dhe hetuesit kishin vendosur masa të përgjimit të fshehtë, përmes të cilave, sipas saj, ishin dokumentuar kontaktet dhe ndikimi mbi dëshmitarin.

“Me të kuptuar këta të akuzuar se i njëjti do ta shes këtë banesë në Kosovë, atëherë fillojnë konfliktet mes tyre, saqë sipas dëshmitarit, rrihet nga disa persona po që nuk i shton emrat dhe kërkon ndihmë mjekësore. Tani ky dëshmitar fillon që ta paraqes rastin në prokurori dhe, me të kuptuar prokurorët e EULEX-it dhe hetuesit, i bëjnë masat e përgjimit të fshehtë dhe kontaktojnë shitësat për faktet e këtyre të akuzuarit me dëshmitarin që tanimë nuk është dëshmitar i mbrojtur, po u paraqit Nazmi Maloku”, tha ajo.

Sipas prokurores, përgjimet kishin nxjerrë në pah kontakte mes të akuzuarve dhe dëshmitarit, përfshirë edhe udhëzime se çfarë duhej të deklaronte gjatë procesit gjyqësor.

“Kontaktet e tyre tregonin se si kontaktonin, kohën periudhën kur ishte për përdorjen e qytetit në Prishtinë, e mësonin çfarë duhet të flisnin, po edhe pas çdo seance i njëjti raportonte se çfarë ka ndodhur dhe çfarë mund të ndodhë. Kjo ishte arsyeja që dëshmitari tani e paraqiti rastin dhe, kjo ishte arsyeja që u bë problem kryesor, që i njëjti filloi këtë procedurë dhe mbi bazën e dëshmive të përgjimeve shihet ndikimi të cilët i patën”, tha Shamolli.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër