Enver Hasani: Kuvendi nuk mund t’ia ndryshojë as presjen ligjit të kthyer nga Presidentja

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 23 tetor, Zhurnal.mk – Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndryshojë asnjë dispozitë të një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim.

Hasani ka theksuar se ligji duhet të votohet në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.Sipas tij, vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe nuk mund të përdoret si mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre.

”Në rastin e një ligji të kthyer nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Kuvend, nuk mund të ndryshohet asnjë dispozitë e tij. Asnjë presje nuk mund t’i shtohet apo t’i hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë”, tha ai për Paparacin.

Hasani ka theksuar se, në procedurën e rishqyrtimit, Kuvendi nuk mund të hapë një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar ligjin, por duhet të vendosë nëse do ta miratojë sërish në formën e mëparshme.

Ai ka sqaruar se për miratimin e ligjit të kthyer kërkohen të paktën 61 vota të deputetëve, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës.

Nëse ligji i siguron 61 votat, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në të kundërtën, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme, ligji nuk miratohet.

Sipas Hasanit, nëse Kuvendi synon ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë vetëm përmes një procedure të re legjislative, e jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidentja.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar të enjten presidentes Justina Shiroka-Pula rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një njoftim për media, PDK tha se kthimi i Ligjit do të mundësonte “plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit”.

“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë”, tha PDK në njoftim.

Presidenca tha se Shiroka Pula pranoi propozimin zyrtar të PDK-së për rishqyrtimin e ligjit, veçmas të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me “dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër