Shasivari dhe Osmani: Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha institucionet

Nga D. V.
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi takim pune me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, kushtuar avancimit të bashkëpunimit institucional dhe zbatimit të vazhdueshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

U theksua se zbatimi i plotë i Ligjit përbën obligim ligjor dhe element thelbësor të sundimit të së drejtës, sigurisë juridike dhe qasjes së barabartë të qytetarëve ndaj institucioneve.

Ministri Shasivari konfirmoi përcaktimin e Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e mekanizmave institucionalë që sigurojnë respektimin e dispozitave ligjore dhe garantimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve.

Drejtori Osmani theksoi se Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ofron mbështetje profesionale dhe praktike për institucionet shtetërore në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përmes udhëzimeve, rekomandimeve dhe ndihmës ekspertike. Agjencia kujdeset për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, të cilën e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, si e drejtë e garantuar me ligj.

Në periudhën që vijon do të thellohet bashkëpunimi institucional, koordinimi dhe aktivitetet e përbashkëta që do të kontribuojnë në zbatimin më efikas dhe të vazhdueshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në të gjitha institucionet shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër