Ismail: Buxheti është dokumenti më i sinqertë politik i çdo qeverie ai tregon se të gjitha deklaratat janë vetëm farsë

Nga D V
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Deputeti i Levicës, Redzep Ismail, në debatin parlamentar për ribalancin e Buxhetit për vitin 2026, vlerësoi se dokumenti i propozuar nuk ofron politika zhvillimore, por paraqet përpjekje të Qeverisë për të fshehur mangësitë e planifikimit fillestar buxhetor përmes huamarrjeve të reja dhe rishpërndarjes së mjeteve.

Ai rikujtoi se Levica, që në miratimin e Buxhetit, kishte paralajmëruar se projeksionet nuk ishin reale dhe se do të çonin në shpenzime shtesë dhe borxhe të reja.

“Buxheti, veçanërisht ribalanci, as është zhvillimor, as ka plan për forcim ekonomik, e së paku është buxhet familjar,” deklaroi Ismail.

Duke u ndalur te prioritetet buxhetore, ai theksoi se Qeveria ndan mjete të konsiderueshme për NATO, ndërkohë që njëkohësisht e thellon deficitin buxhetor.

“Ju ndani katër për qind të BPV‑së për NATO, ndërsa në të njëjtën kohë keni deficit prej 4,1 për qind. Prioritetet duhet vërtet të rishikohen,” theksoi ai.

Sipas Ismailit, ribalanci dëshmon se Qeveria nuk menaxhon në mënyrë strategjike me financat publike, por reagon vetëm ndaj problemeve të momentit.

“Qeveria nuk menaxhon aspak strategjikisht. Përkundrazi, vepron vetëm reaktivisht, nuk planifikon zhvillim, por blen kohë; nuk krijon vlerë, por shpërndan kosto,” tha deputeti.

Ai shtoi se pikërisht Buxheti është treguesi më i mirë i politikave të vërteta të çdo qeverie.

“Buxheti është dokumenti më i sinqertë politik i çdo qeverie. Çdo qeveri deklarativisht angazhohet për kulturë, ekologji dhe siguri, por buxheti tregon nëse ato janë vërtet prioritetet e saj. Buxheti i kësaj qeverie tregon se të gjitha deklaratat e saj janë vetëm farsë,” theksoi Ismail.

Në pjesën për kulturën, ai vlerësoi se institucionet janë të lëna pas dore dhe se politika kulturore reduktohet në organizimin e manifestimeve.

Duke folur për investimet publike, Ismail tha se rritja më e madhe e mjeteve shkon për projekte infrastrukturore lokale, të cilat, sipas tij, janë më të lehta për t’u keqpërdorur.

Në përmbyllje, deputeti i Levicës theksoi se ribalanci nuk ndryshon politikën ekonomike të shtetit, por vetëm e vazhdon praktikën e huamarrjes.

“Ju nuk krijoni kapacitete të reja prodhuese, energjetike apo institucionale. Vetëm e vazhdoni praktikën e vjetër – të merrni borxhe, të rrisni shpenzimet, të zhvendosni para nga një vend në tjetrin dhe ta paraqisni këtë si zhvillim,” tha Ismail.

Ai përfundoi se ribalanci i propozuar nuk është strategji për zhvillim ekonomik, por “mbijetesë politike me para publike”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër