Prishtinë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka shpërndarë një fjalim të kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj, të mbajtur më 2 prill 2026 në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se paralajmërimet e tij po dëshmohen me zhvillimet e fundit.
Xhemaili ka deklaruar se gjuha e urrejtjes dhe sulmet e organizuara ndaj kundërshtarëve politikë kanë nisur të dalin në sipërfaqe, duke theksuar se edhe Aleanca ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve, përmes fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj figurave të saj.
“Ajo që Ramush Haradinaj e paralajmëroi më 2 prill në Kuvend, sot po shihet më qartë. Gjuha e urrejtjes dhe sulmet e organizuara ndaj kundërshtarëve politikë kanë nisur të dalin në sipërfaqe. Edhe Aleanca ka qenë vazhdimisht cak i këtyre sulmeve, me fyerje e kërcënime të ulëta ndaj figurave tona. Është koha që Prokuroria të veprojë”, ka shkruar Xhemaili.
Në fjalimin e tij në Kuvend më 2 prill, Haradinaj kishte ngritur akuza ndaj qeverisjes së udhëhequr nga Albin Kurti, duke pretenduar se po përdoren mjete financiare për të mbështetur sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
“E dyta po financohen mediat me thasë. Dëgjoni çka po thotë ky, dëgjoni mirë çka po thotë, mediat po financohen me thasë, ky shpenzon më së shumti pare duke ushqy zagarë me i fy shqiptarët”, kishte deklaruar Haradinaj në Kuvend.
