Pekin, 28 korrik, Zhurnal.mk – Fillimi nga ShBA-ja i një hetimi sipas Seksionit 301 lidhur me mbikapacitetin ,dëmton rëndë rendin ekonomik ndërkombëtar, u shpreh të martën një zyrtar i Ministrisë kineze të Tregtisë.
Shtetet e Bashkuara nuk mund të përcaktojnë në mënyrë arbitrare kapacitetin prodhues që thjesht tejkalon kërkesën e brendshme si “mbikapacitet” ,tha Lin Weilong, drejtor i zyrës së studimit të politikave pranë Ministrisë së Tregtisë, në një konferencë për shtypin.
Ai theksoi që pala amerikane nuk ka autoritet të përcaktojë në mënyrë të njëanshme nëse partnerët e saj tregtarë kanë “mbikapacitet” nëpërmjet një hetimi sipas Seksionit 301 e të marrë masa të njëanshme kufizuese bazuar mbi një përcaktim të tillë.
Kina u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të gjejnë zgjidhjen e dallimeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve, tha Lin, duke shtuar që pala kineze do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe ruan të drejtën të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj të ligjshëm.
Ministria publikoi të martën një dokument të titulluar “Pozicioni i Kinës mbi të ashtuquajturën ‘çështje e mbikapacitetit'” për të qartësuar faktet përkatëse dhe për të shtjelluar qëndrimin e Kinës mbi këtë çështje.
Sipas këtij dokumenti, zhvillimi i shpejtë i industrive moderne kineze është i nxitur nga inovacioni dhe funksionimi i qëndrueshëm e i shëndetshëm i industrive të Kinës mbështetet në thellimin e vazhdueshëm të reformave.
