Tiranë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) marrjen e masës disiplinore “ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit” ndaj gjyqtares S.D., pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Hetimi disiplinor u nis pas ankesave të paraqitura nga zëvendëskryetari i kësaj gjykate dhe dy ankues të tjerë.
Sipas raportit të ILD-së, hetimi provoi se magjistratja ka kryer mungesa të pajustifikuara në detyrë për më shumë se tre ditë pune gjatë një viti, nuk ka paraqitur kërkesë për heqje dorë nga gjykimi në raste kur kjo ishte e detyrueshme sipas ligjit si dhe ka shkelur rëndë ose në mënyrë të përsëritur legjislacionin procedural dhe material, shkelje të konstatuara edhe nga një gjykatë më e lartë.
Raporti vlerëson se shkeljet janë kryer me dashje, duke marrë në konsideratë edhe përvojën profesionale të gjyqtares. Sipas ILD-së, veprimet dhe mosveprimet e saj kanë cenuar parimet e paanshmërisë dhe ligjshmërisë, të drejtat e palëve në procesin gjyqësor, si dhe prestigjin e magjistratit dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Gjithashtu, raporti vlerëson se sjellja e konstatuar nga gjyqtarja paraqet rrezik për përsëritjen e praktikave të ngjashme nga magjistratë të tjerë dhe krijon precedent negativ për funksionimin e sistemit gjyqësor.
Inspektorët e ILD-së kanë konstatuar se nuk ekzistojnë shkaqe objektive ose rrethana jashtë kontrollit të magjistrates, që të justifikojnë shkeljet e konstatuara, ndërsa si rrethana lehtësuese konsiderohet fakti që magjistratja nuk ka pasur më parë masa disiplinore në fuqi dhe se ka bashkëpunuar gjatë zhvillimit të hetimit disiplinor.
Në përfundim të hetimit, ILD ka arritur në konkluzionin se veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. përbëjnë shkelje të rënda disiplinore dhe i ka propozuar KLGJ-së caktimin e masës “ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.
