Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Numri i rasteve të reja të lidhura me epideminë në Gostivar po vazhdon të ulet, ndërsa autoritetet shëndetësore vlerësojnë se periudha më kritike tashmë ka kaluar. Sipas të dhënave më të fundit, deri pasditen e sotme janë regjistruar edhe 109 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 4.303 persona.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se gjatë katër ditëve të fundit numri ditor i pacientëve të rinj ka lëvizur nga 80 deri në 125 raste, gjë që, sipas tij, tregon një stabilizim gradual të gjendjes.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk mund të përcaktohet me siguri se sa prej rasteve të reja janë drejtpërdrejt të lidhura me epideminë dhe sa përfaqësojnë raste të zakonshme të infeksioneve gastrointestinale.
“Faza akute e epidemisë po qetësohet. Në marrëveshje me Komisionin për Sëmundje Infektive vendosëm të kalojmë në fazën e mbikëqyrjes së përforcuar epidemiologjike, me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të reja eventuale dhe komplikimeve të mundshme”, tha Klekovski.
Institucionet shëndetësore në Gostivar kanë marrë udhëzime të reja për veprim, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet monitorimit të paraqitjes së hepatitit A, hepatitit E dhe sëmundjeve të tjera infektive që mund të shfaqen pas epidemive të tilla.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Qendrës për Shëndet Publik, spitaleve dhe mjekëve amë do t’u dërgohen protokolle shtesë për veprim, si dhe rekomandime për informimin e qytetarëve. Qëllimi është që çdo rast i dyshimtë të identifikohet dhe konfirmohet në laborator në kohë, ndërsa sistemi shëndetësor të reagojë pa vonesa.
Sa i përket furnizimit me ujë, autoritetet shëndetësore mbeten në rekomandimet e mëparshme. Uji nga ujësjellësi i qytetit mund të përdoret për higjienë personale, por nuk rekomandohet për pirje, përgatitje të ushqimit ose larje të produkteve ushqimore, derisa institucionet kompetente të konfirmojnë se është plotësisht i sigurt për përdorim.
Edhe pse gjendja po tregon shenja përmirësimi, institucionet u bëjnë apel qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë rekomandimet, me qëllim parandalimin e plotë të përhapjes së sërishme të infeksionit.
