Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Deputetja Ilire Dauti është vënë në qendër të reagimeve pas një deklarate të bërë gjatë seancës parlamentare, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kur tha: “Shpresoj të mos vazhdosh të lexosh në gjuhën arabe edhe më tutje.”
Pas kësaj deklarate reagoi deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, e cila kërkoi sqarim publik nga Dauti për domethënien e fjalëve të saj, duke vlerësuar se ato mund të perceptohen si fyese nga besimtarët për të cilët gjuha arabe ka rëndësi të veçantë fetare.
Në reagimin e saj, Saliu thekson se rrallë reagon individualisht ndaj kolegëve deputetë, por se në këtë rast e ka konsideruar të domosdoshme.
“Për gati dy vite nuk kam reaguar ndaj kolegëve individualisht, por ka raste kur heshtja nuk është zgjidhje”, ka shkruar Saliu.
Ajo shtron pyetjen nëse deklarata e Dautit paraqet një bindje personale, një figurë retorike apo ka një kuptim tjetër, duke theksuar se një deklaratë e tillë nuk duhet të mbetet pa shpjegim.
Sipas deputetes së VLEN-it, çështja prek respektimin e lirive dhe ndjenjave fetare, prandaj i bën thirrje Ilire Dautit të sqarojë publikisht se çfarë ka dashur të nënkuptojë me deklaratën e saj.
