Rreth 6 mijë euro barna të padeklaruara kapen në kufirin Kosovë-Serbi

Nga Xh M
872 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 31 korrik Zhurnal.mk – Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të futjes së medikamenteve të padeklaruara në territorin e Kosovës, pasi ka zbuluar mallin e fshehur në një autobus në Pikën e Kalimit Kufitar në Dheu të Bardhë.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë një kontrolli rutinë, zyrtarët kanë identifikuar një hapësirë të kamufluar në shkallët e autobusit. Në këtë hapësirë janë gjetur disa pako të fshehura, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj, por pas verifikimit është konstatuar se brenda tyre kishte medikamente të padeklaruara.

Vlera e përafërt e mallit të zbuluar është rreth 6 mijë euro.

Dogana bëri të ditur se para kontrollit fizik, drejtuesi i autobusit ishte pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për deklarim, por ai kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur.

“Mosdeklarimi i mallrave para autoriteteve doganore përbën kundërvajtje doganore, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave”, thuhet në njoftim.

Për shkak të natyrës së mallit dhe rrethanave të rastit, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontrolle të mëtejshme. Procedurat janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa pas përfundimit të ekzaminimit janë ndërmarrë veprimet e parapara ligjore.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se importi i medikamenteve kërkon respektim të procedurave të veçanta ligjore dhe dokumentacion përkatës nga institucionet kompetente.

Sipas këtij institucioni, tentimet për fshehje apo mosdeklarim të mallrave cenojnë sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër