Vlorë, 1 gusht Zhurnal.mk – Banorë, intelektualë, përfaqësues të Bashkisë së Selenicës dhe komuniteteve përreth janë mbledhur në qendër të qytetit për të zhvilluar “Kuvendin e Selenicës”, ku në fokus ka qenë kundërshtimi ndaj reformës së re territoriale që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Vlorën.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit paraqitën argumentet e tyre lidhur me pasojat që, sipas tyre, do të sillte kjo ndryshim administrativ. Në përfundim të takimit pritet të përcaktohen edhe veprimet e mëtejshme që komuniteti do të ndërmarrë për të kundërshtuar shkrirjen e Bashkisë së Selenicës.
Banorët dhe përfaqësuesit e zonës kërkuan rishikimin e reformës territoriale, duke argumentuar se kalimi nën administrimin e Bashkisë së Vlorës mund të krijojë vështirësi për qytetarët në aksesin ndaj shërbimeve publike dhe institucioneve vendore.
Sipas tyre, humbja e statusit të bashkisë më vete mund të sjellë më pak vëmendje institucionale, më pak investime dhe rrezik për lënien pas dore të zonave rurale.
Pjesëmarrësit u shprehën se ruajtja e Bashkisë së Selenicës është e domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të zonës dhe për të garantuar që shërbimet publike të mbeten sa më pranë qytetarëve.
Ndërkohë që dhe vetë Nertil Bellaj, kryebashkiaku i Selenicës është shprehur kundër Reformës së re Territoriale, edhe pse vetë nuk është bërë pjesë e dëgjesës.
“Të dashur banorë të Bashkisë Selenicë. Mesazhet dhe telefonatat e shumta, qëndrimi i shprehur nga përfaqësues të komunitetit në mbështetje të Bashkisë Selenicë, si edhe deklarata e deputetit Bido, më bëjnë të domosdoshme që të shpreh edhe një herë publikisht qëndrimin tim për reformën e re administrativo-territoriale.
Thënia e deputetit Ardit Bido se ‘Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë’ nuk është e vërtetë dhe ka shkaktuar zhgënjim të madh te banorët e kësaj treve. Të deklarosh se flet në emër të një komuniteti pa e pyetur atë përbën një goditje ndaj besimit që qytetarët u japin përfaqësuesve të tyre. Për shumë banorë të Selenicës, kjo deklaratë u pa si një thikë pas shpine, pikërisht në një kohë kur pritej mbështetje për interesat e zonës dhe jo qëndrime që i vënë ato në dyshim.
Dua ta them qartë: askush nuk mund të marrë përsipër të vendosë apo të flasë në emër të Bashkisë Selenicë. Vullneti i banorëve nuk mund të zëvendësohet nga dëshirat ose bindjet personale të askujt.
Pozicioni im ka qenë dhe vazhdon të jetë i njëjtë: Selenica duhet të mbetet bashki më vete. Ky qëndrim nuk buron nga interesa personale apo administrative, por nga detyrimi ndaj qytetarëve, historisë, identitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm të kësaj bashkie.
Gjatë dëgjesës së zhvilluar pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kam paraqitur argumente të qarta dhe të bazuara në fakte për të dëshmuar se Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kushtet për të vijuar si njësi vendore më vete. Shtrirja territoriale, numri i fshatrave, pasuritë natyrore, mundësitë ekonomike dhe puna e administratës vendore tregojnë se kjo bashki ka kapacitetet e nevojshme për të vazhduar zhvillimin.
Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. E ardhmja e Selenicës nuk mund të përcaktohet nga deklarata të pavërteta, por nga vullneti i komunitetit dhe interesi i tij më i mirë.
Kam besim se zëri i banorëve të Bashkisë së Selenicës do të dëgjohet dhe do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e Qarkut Vlorë dhe Kuvendi i Shqipërisë”, ka shkruar ai.
