Fier, 25 nëntor Zhurnal.mk – Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka denoncuar sërish pengimin e takimit me kryebashkiakun e Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Fierit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ndreca ka bërë të ditur se, pavarësisht se ndodhet pranë ambienteve të burgut që prej orës 16:50, nuk është lejuar të takojë klientin e tij.
Avokati akuzon drejtorin e burgut të Fierit për shkelje sistematike të ligjit dhe Kushtetutës, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë. Ai argumenton se legjislacioni në fuqi garanton të drejtën e takimit të avokatit me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa qenë i nevojshëm një autorizim i posaçëm.
Ai ka ironizuar mënyrën se si funksionon institucioni i vuajtjes së dënimit në Fier, duke deklaruar se ky i fundit duket se është kthyer në një burg privat, ku vendimmarrja e drejtorit prevalon mbi ligjin.
Avokati i Veliajt u ka bërë thirrje Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes dhe Prokurorisë së Fierit që të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate, të cilën e cilëson skandaloze.
