Sfida me ujin e pijshëm, në Tetovë shpeshtohen kontrollet e uji

Nga Xh M
840 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 1 gusht Zhurnal.mk – Uji në Tetovë është i pastër dhe i sigurt për konsum, thotë drejtori i NPK-së “Sharri”, Valon Zeqiri, në një prononcim për TVM2. Ai thekson se, pas rastit të fundit në Gostivar, ndërmarrja ka shtuar kontrollet dhe çdo ditë dërgon mostra të ujit për analiza në Qendrën për Shëndet Publik. Sipas tij, të gjitha rezultatet e deritanishme konfirmojnë se uji në Tetovë është i pijshëm. Zeqiri u bën thirrje qytetarëve që të informohen vetëm përmes njoftimeve zyrtare të NPK-së “Sharri”.

“Ne gjithmonë veprojmë në bazë të analizave që kryhen nga Qendra për Shëndet Publik. Çdo vendim dhe veprim i Ndërmarrjes së Ujësjellësit mbështetet në rezultatet e këtyre analizave. Për këtë arsye, kemi shtuar frekuencën e analizave, të cilat tashmë kryhen çdo ditë. Qytetarët duhet t’u besojnë vetëm informacioneve zyrtare të publikuara nga Ndërmarrja e Ujësjellësit. Analizat e fundit, të cilat i kemi marrë të premten, tregojnë se uji është i pijshëm. Gjithashtu, presim edhe rezultatet e analizave të reja. Qyteti i Tetovës e ka ujin më të pastër në nivel republikan, pasi burimi është nga Sharri”, deklaroi drejtori i NPK-së “Sharri”, Valon Zeqiri.

Përveç kontrolleve të përditshme të cilësisë së ujit, ndërmarrja ka ndërmarrë edhe masa shtesë sigurie. Sipas Zeqirit, është vendosur mbikëqyrje në rezervuarin kryesor të qytetit, me qëllim që uji të arrijë i sigurt deri te çezmat e qytetarëve.

“Kam caktuar njerëz që duhet ta ruajnë rezervuarin e qytetit, kam caktuar njerëz të cilët merren me analizat e ujit, prandaj mendoj se i kemi marrë të gjitha masat të cilat duhet t’i marrim, por nuk duhet ta neglizhojmë këtë situatë dhe ujin duhet sa më të sigurt ta transferojmë deri tek qytetarët e Tetovës”, theksoi Zeqiri.

Ndërkohë, ka nisur edhe rikonstruksioni i rezervuarit kryesor të qytetit, ku grumbullohen ujërat nga burimet dhe më pas shpërndahen në rrjetin e ujësjellësit. Sipas drejtorit Zeqiri, punimet pritet të përfundojnë brenda një afati të shkurtër, duke mundësuar rinovimin e plotë të këtij objekti të rëndësishëm për furnizimin me ujë të qytetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër