Tetovë, 1 gusht ZHurnal.mk – Pas disa vitesh pritjeje, ka nisur largimi i gypave të destinuar për dy hidrocentralet e vogla në Leshnicë të njohura si “Shkumbini 84” dhe “Shkumbini 85”. Këto projekte u ndaluan pas protestave ekologjike të vitit 2019. Nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” thonë se ndërtimi i tyre nuk do të lejohet sepse nuk kanë dhënë leje. Nga atje thonë se me shpalljen e Malit Sharr zonë të mbrojtur, dëmtimit të lumenjve i është vendosur pikë.
“Përfundimisht, për momentin ndodhen në parkingun tek Kodra e Diellit. Brenda 10 ditëve do të dislokohen edhe nga ajo pjesë. Dhe e kam cekur edhe në paraqitjet e mia të mëparshme se jo që nuk do të lejohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në zonat e mbrojtura të Parkut Kombëtar, sepse edhe në planin e menaxhimit të Parkut Kombëtar nuk është e paraparë ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në zonat e mbrojtura. Por edhe për këto dy hidrocentrale, statusi i të cilave ishte si pikëpyetje, përfundimisht domethënë fuqishëm qëndruam pas asaj që nuk do të lejohet vazhdimi i punimeve dhe të ndërtohen këto dy hidrocentrale”, tha Evzal Elmazi, drejtor i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.
Nga ana tjetër, aktivistët mjedisorë thonë se hidrocentralet e vogla tashmë kanë lënë pasoja të rënda në ekosistem. Sipas tyre, përveç largimit të gypave, duhet të çmontohen edhe hidrocentralet ekzistuese sepse dobia energjetike prej tyre është minimale në krahasim me dëmin mjedisor.
“Studimet e kohës tregojnë se 70% e buxhetit për energji të ripërtëritshme shkonte tek hidrocentralet e vogla, ndërkohë që kontributi i tyre në prodhimin e energjisë elektrike ishte diku më pak se 3.8%. Domethënë tregonte matematika se nuk ia vlen që të shtrohen, të futen gjithë ato para në një investim i cili nuk po… nuk rikthen domethënë, nuk po sjell energji të mjaftueshme. Tërheqja e këtyre gypave ditët e fundit nga Leshnica mund të shihet si hap i mirë, përmbi gjithë këtë mbetet pyetja se çfarë bëjmë me dëmin që është shkaktuar? Kush e riparon atë dëm? Domethënë me çfarë fondesh duhet të rikthehet natyra, të them kushtimisht tani, në gjendjen e mëparshme? Sepse është pothuajse e pamundur të rikthehet gjendja e mëparshme. Dhe për më tepër është se çfarë bëjmë me hidrocentralet që tashmë ekzistojnë atje dhe që janë deri diku funksionale. Ideja është, mendimi im është, edhe gjithë kohës kemi qenë domethënë edhe brenda shoqatave kemi qenë të qëndrimit se ato hidrocentrale duhet të prishen, duhet të çmontohen”, tha Arjanit Xhaferi.
Pavarësisht se largimi i gypave nga Leshnica vlerësohet si një fitore për mbrojtësit e natyrës, sfida kryesore për Parkun Kombëtar mbetet rehabilitimi i zonave të dëmtuara dhe gjetja e mekanizmave për të mbrojtur përfundimisht pasuritë ujore të Malit Sharr.
