Prishtinë, 2 gusht Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i pyetur se a do t’i vazhdojë bisedimet me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për formimin e institucioneve, ka thënë se do të përpiqen t’i shfrytëzojnë ditët e mbetura, që të jenë “sa më të përgatitur kur fillon seanca konstituive”.
Ai deklaroi se ekziston interesimi, vullneti dhe gatishmëria, por se në javën e ardhshme merret vesh gjithçka.
“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, ka deklaruar Kurti për Ekonomia Online, pasi mori pjesë në pritjen e organizuar nga LVV-ja në Prishtine për mërgimtarë.
Një ditë më parë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 20 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.
Ai ka theksuar se me gjithë dallimet e dukshme përbrenda LDK-së, ajo tash gjendet përballë ofertës nga partia e parë fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, për bashkëpunim.
Parimet, të cilat LDK i ka shprehur si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha (institucionet; Kuvend, Qeveri, Presidencë) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive./Koha.net
