Deputetët në “deti ligjet në tigan”, arsimi e përfaqësimi nga shtatori!

Nga I.A
919 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 gusht, Zhurnal.mk – Kuvendi është arena ku përballen mendimet, ku debati politik merr formë institucionale dhe ku ligjet duhet të përpilohen në dobi të shoqërisë. Por sa ky mision përmbushet mbetet çështje diskutabile. Seanca e fundit para pushimeve verore e dëshmoi që edhe pse pati përpjekje nuk pati rezultat. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk kaloi, po ashtu edhe propozim‑ndryshimet për arsimin e lartë. Deputetët tashmë janë në pushim të merituar dhe të paraparë me ligj ndërsa ligjet kanë mbetur pezull. Kështu, derisa deputetët mund të jenë në det, ligjet kanë ngecur në tigan, duke pritur shtatorin për të parë fatin e tyre politik e institucional, shkruan Zhurnal.

Cilat ligje mbeten të bllokuara dhe nuk kaluan?

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është një nga ligjet më të rëndësishme që pritej të kalonte. Përmes këtij ligji synohet të vendosen mekanizma të qartë për përfaqësimin e komuniteteve në institucionet publike të vendit, pas shfuqizimit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese. Kujtojmë që. ligji parashikon krijimin e një trupi koordinues, monitorim të vazhdueshëm dhe standarde të reja për raportim institucional. Megjithatë, kundërshtimet politike, mungesa e konsensusit dhe debatet mbi mekanizmat e zbatimit e lanë ligjin në gjysmë të rrugës. Pa votat e nevojshme nuk arriti të hyjë në lexim të dytë.

Në të njëjtën situatë mbetën edhe propozim‑ndryshimet për arsimin e lartë. Draftet e miratuara në Qeveri dhe të vendosura në ENER synojnë reformim të sistemit të akreditimit, rritje të cilësisë dhe riorganizim të veprimtarisë shkencore. Universitetet, ekspertët dhe komuniteti akademik kanë kërkuar prej kohësh një ligj më modern, më të qartë dhe më të zbatueshëm. Por draftet u përballën me kritika për paqartësi, mungesë harmonizimi dhe rrezik të centralizimit të tepërt. Këto dilema, të kombinuara me dinamikën politike bllokuan procesin para pushimeve.

Në thelb, të dy ligjet prekin fusha të ndjeshme përfaqësimin dhe arsimin dhe kërkojnë jo vetëm shumicë të thjeshtë, por edhe vullnet politik të gjerë. Mungesa e këtij vullneti i la ligjet në pritje, duke e zhvendosur debatin për to në shtator, kur Kuvendi të rikthehet në punë.

Vonesa e miratimit të ligjeve shkakton pasoja tek qytetarët

Bllokimi i ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat prodhon pasoja të drejtpërdrejta. Derisa nuk ka një kornizë ligjore të qartë, përfaqësimi në institucione mbetet çështje e vullnetit politik, jo e standardeve të detyrueshme. Kjo krijon hapësirë për keqpërdorim, për vendime të paqarta dhe për mungesë transparence në punësime. Qytetarët, sidomos ata nga komunitetet më pak të përfaqësuara, mbeten të varur nga premtimet politike jo nga garancitë ligjore.

Edhe vonesa e ndryshimeve në arsimin e lartë ka pasoja të dukshme. Sistemi aktual i akreditimit dhe vlerësimit është i ngadalshëm, paefikas dhe shpesh i kontestuar. Universitetet nuk mund të planifikojnë reforma afatgjata pa e ditur se cilat standarde do të vlejnë në vitet e ardhshme. Studentët përballen me programe që nuk përditësohen me ritmin e nevojshëm, ndërsa cilësia e arsimit rrezikon të humbasë edhe më shumë terren në krahasim me standardet evropiane.

Nëse zvarritja vazhdon, humbjet do të jenë të dyfishta institucionale dhe shoqërore. Ligjet nuk janë thjesht dokumente teknike ato janë mekanizma që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në mundësitë e tyre, në të ardhmen e tyre profesionale dhe në besimin e tyre tek shteti. Çdo vonesë e panevojshme e dobëson këtë besim.

Sqarojmë se, shtatori do të rikthejë jo vetëm deputetët në sallën e Kuvendit, por edhe pritjet e qytetarëve për zgjidhje konkrete. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ndryshimet në arsimin e lartë janë tema që prekin barazinë, cilësinë dhe funksionimin e shtetit. Derisa pushimet verore janë të ligjshme dhe të merituara, përgjegjësia politike nuk pushon. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër