Ylli i Man Unitedit entuziazmon tifozët: Mund ta fitojmë Ligën Premier

Nga D. V.
497 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Leny Yoro, beson se skuadra duhet ta synojë fitimin e titullit të Liga Premier në sezonin 2026/27.

“Djajtë e Kuq” po përgatiten për sezonin e parë të plotë nën drejtimin e Michael Carrick, i cili e mori skuadrën në janar pas shkarkimit të Ruben Amorimit dhe e riktheu në garën për kreun e tabelës.

Kur Amorim u largua, Unitedi renditej në vendin e gjashtë, por Carrick fitoi 12 nga 17 ndeshjet e tij në Liga Premier, duke regjistruar edhe tri barazime dhe vetëm dy humbje. Forma e shkëlqyer bëri që ai të emërohej trajner i përhershëm.

Madje, nëse kampionati do të kishte nisur në momentin kur Carrick mori drejtimin më 13 janar, Manchester United do të ishte shpallur kampion me 39 pikë nga 17 ndeshje, tri më shumë se Arsenali, i cili fitoi titullin në fund të sezonit.

Yoro beson se skuadra duhet ta ruajë atë ritëm edhe në sezonin e ri.

“Sigurisht. Ne jemi Manchester United, prandaj duhet të mendojmë në atë mënyrë”.

“Dhe e di që e kemi potencialin për ta bërë këtë, kështu që duhet ta bëjmë”.

“Atmosfera është shumë e mirë. Po punojmë shumë dhe edhe jashtë fushës kemi një frymë shumë pozitive”.

“Objektivi ynë këtë sezon është ta fitojmë çdo ndeshje, për të qenë skuadra më e mirë. Edhe unë dua të zhvilloj paraqitje të mira në çdo takim, të fitojmë trofe dhe të jemi në krye”, deklaroi Yoro.

Qendërmbrojtësi francez iu bashkua Manchester Unitedit nga Lille në vitin 2024 dhe deri më tani ka zhvilluar 53 ndeshje në Liga Premier. Në sezonin e kaluar ai u paraqit në 32 takime, edhe pse në 14 prej tyre u aktivizua nga banka rezervë.

Manchester United ka zhvilluar tri ndeshje miqësore gjatë verës, duke pësuar humbje 1-0 nga Wrexhami, ndërsa më pas mposhti Rosenborgun me rezultat 5-0 dhe Atletico Madridin me 2-1.

Sfida e radhës për skuadrën e Carrick do të jetë ndaj kampionit të Evropës, Paris Saint-Germain, në Gothenburg, të shtunën e ardhshme./

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër