Ministria e Shëndetësisë: Gjidhënia është fillimi më i mirë për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të çdo fëmije

Nga D. V.
638 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 gusht, Zhurnal.mk – Me rastin e Javës Botërore të Gjidhënies, e cila këtë vit shënohet nën moton “Gjidhënia për një fillim të qëndrueshëm në jetë – të forcojmë atë që funksionon”, Ministria e Shëndetësisë rikujton se gjidhënia është mënyra më natyrale dhe më e sigurt e ushqyerjes së të porsalindurve dhe foshnjave.

Qumështi i nënës siguron të gjitha lëndët ushqyese të domosdoshme për rritje dhe zhvillim të duhur, forcon imunitetin, ul rrezikun nga shumë sëmundje dhe kontribuon në shëndet më të mirë si për nënën, ashtu edhe për fëmijën.

Sipas rekomandimeve të Komitetit për Gjidhënie, UNICEF‑it dhe OBSH‑së, rekomandohet gjidhënie ekskluzive gjatë gjashtë muajve të parë të jetës, e më pas vazhdim i gjidhënies së bashku me ushqim plotësues të përshtatshëm deri në dy vjet ose më gjatë, në përputhje me nevojat e fëmijës dhe dëshirën e nënës.

“Qëndrojmë të përkushtuar në përmirësimin e politikave shëndetësore që sigurojnë mbështetje për gjidhënien, përmes forcimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore, edukimit të punonjësve shëndetësorë dhe mbështetjes së vazhdueshme për gratë shtatzëna, nënat dhe familjet e tyre”, thonë nga Ministria.

Me rastin e Javës Botërore të Gjidhënies, Ministria apelon për përgjegjësi dhe mbështetje të përbashkët nga punonjësit shëndetësorë, institucionet, punëdhënësit, familjet dhe e gjithë komuniteti, sepse krijimi i kushteve për gjidhënie të suksesshme është investim në shëndetin e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër