Gjuha shqipe anashkalohet në tabelat orientuese për fshatin e banuar plotësisht me shqiptarë, Llojan, kur do të veprojë Arsim Idrizi për vendbanimin e tij? 

Nga I.A
905 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Çështja e gjuhës shqipe ka hyrë në një fazë të re anashkalimi gjatë viteve të fundit. Ajo po zbehet jo përmes deklaratave politike, por përmes praktikave të heshtura institucionale tabelave orientuese, shenjave rrugore, e kudo ku krijohet pak mundësi. Në shumë raste, tabela të vendosura pa shqipen hiqen vetëm kur ka reagim publik, kur nuk ka reagim mbeten aty, duke normalizuar mungesën e gjuhës shqipe në hapësirat ku ka edhe plotësisht shqiptarë. Ironia më e madhe qëndron te fakti se drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, vjen pikërisht nga fshati Llojan në hyrje të cilit vendbanim sot gjuha shqipe është lënë jashtë tabelave orientuese. Kur do të reagojë drejtori për anashkalimin që ndodh në fshatin e tij? shkruan Zhurnal.

Tabela të reja, por pa gjuhën shqipe?

Dje, në hyrje të fshatit Llojan u vendosën tabela të reja orientuese. Për të shkuar në një fshat të banuar plotësisht me shqiptarë, udhëtari duhet të orientohet nga një tabelë ku mungon vetëm gjuha shqipe. Ky fakt nuk është “gabim i vogël”, por është shkelje e qartë e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të gjuhës shqipe. Në këtë rast, drejtori i këtij institucioni, Arsim Idrizi, vjen pikërisisht nga ky fshat. Ai duhet të hyjë në Llojan duke kaluar pranë një tabele ku gjuha shqipe nuk ekziston.

Kjo situatë e bën pyetjen edhe më të natyrshme që si mund të kërkohet zbatimi i ligjit në gjithë vendin, kur shkelja ndodh në fshatin e vetë drejtorit? 

Prandaj, reagimi i Inspektoratit nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe detyrim moral. Tabelat duhet të hiqen menjëherë dhe të vendosen sipas ligjit me gjuhën shqipe të pranishme dhe të respektuar.

Pse kjo urrejtje institucionale ndaj gjuhës shqipe?

Rasti i Llojanit nuk është i izoluar. Para tij, tabela pa shqipen u vendosë në Çerkez. Para Çerkezit, në Strugë. Para Strugës, në autostrada të tjera e kështu intensiteti i anashkalimit është rritur, ndërsa reagimet institucionale janë dobësuar.

Llojani është vetëm një pikë në hartën e një problemi më të madh. Por është pikë simbolike, sepse aty shkelja prek drejtpërdrejt fshatin e drejtuesit të institucionit që duhet ta mbrojë gjuhën shqipe. Nëse nuk ka reagim për Llojanin, çfarë mund të presin qytetarët në vendbanime të tjera?

Nëse gjuha shqipe nuk mbrohet aty ku është shumicë absolute, si do të mbrohet në zonat ku është në pakicë?

Kujtojmë që, gjuha shqipe nuk humbet vetëm kur e mohon tjetri humbet edhe kur hesht ai që ka detyrimin ta mbrojë. Në këtë rast, heshtja nuk është neutrale, heshtja e mos veprimi është pjesë e problemit. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër